
Zvicra tash e 11 vjet po organizon dialogun jozyrtar mes Kosovës dhe Serbisë në qytetin e Solothurnit, me qëllim ndërtimin e besimit dhe lehtësimin e normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve. Kështu raporton gazeta prestigjioze zvicerane Neue Zürcher Zeitung (NZZ), e cila thekson se këto takime zhvillohen në mënyrë konfidenciale dhe larg vëmendjes mediatike.
Sipas NZZ, në takimin e fundit të mbajtur në fillim të dhjetorit kanë marrë pjesë edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, përgjegjës për dialogun me Beogradin, si dhe ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriq, ish-ambasador i Serbisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. NZZ sqaron se Bislimi e Gjuriq nuk kanë marrë pjesë në të njejtin takim.
Gazeta zvicerane shkruan se këto bisedime organizohen dy deri në tre herë në vit nga Departamenti Federal i Punëve të Jashtme i Zvicrës, në bashkëpunim me organizatën amerikane Council for Inclusive Governance. Në to marrin pjesë përfaqësues të partive qeverisëse dhe opozitare, si dhe të shoqërisë civile nga të dyja vendet.
Sipas NZZ, qëllimi i dialogut nuk është arritja e një marrëveshjeje përfundimtare politike, por krijimi i një hapësire të sigurt për komunikim të drejtpërdrejtë mes aktorëve kyç, gjë që ndihmon në uljen e tensioneve në momente të ndjeshme. Zvicra e sheh këtë angazhim si pjesë të rolit të saj tradicional të “shërbimeve të mira” dhe si interes të drejtpërdrejtë shtetëror, duke pasur parasysh edhe praninë e një diaspore të madhe kosovare dhe serbe në vend.
Dialogu i Solothurnit konsiderohet komplementar me procesin zyrtar të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe, sipas NZZ, po vlerësohet pozitivisht edhe nga Brukseli, si një kontribut shtesë për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.



