
Në një intervistë ekskluzive nga Berlini për POLITICO, Presidentja e Kosovës flet për rrugën e vendit drejt BE-së dhe trashëgiminë e Skenderbeut.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dhënë një intervistë të veçantë nga zemra e Berlinit për gazetarin Gordon Repinski të POLITICO-s, ku ka diskutuar vizionin euroatlantik të Kosovës, partneritetin historik me Gjermaninë dhe rrugën përpara.
“Nuk më pëlqen të flas shumë për histori shumë të largët, por ne jemi një komb që ka luftuar për të mbrojtur civilizimin evropian shumë para se të ekzistonte BE-ja,” tha Osmani, transmeton Gazeta Politika.
Ajo shtoi se hero i tyre historik, Gjergj Kastrioti, luftoi më shumë se 500 vite më parë për të mbrojtur atë që quhej “porta e fundit e Evropës”. Presidentja i theksoi gazetarit të huaj rëndësinë e trashëgimisë së Skenderbeut dhe lidhjen e saj me vlerat europiane që Kosova ndjek sot.



