
Ish-presidentja thekson rëndësinë e mbështetjes dhe solidaritetit mes grave në përballjen me sfidat e përditshme.
Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se ditën e ka nisur me një takim me gra nga Gjilan, ku kanë diskutuar për sfidat me të cilat përballen gratë në shoqëri.
Ajo tha se bashkëbisedimi u zhvillua në restorantin Nanat, një biznes i udhëhequr nga Qëndresa dhe Liria.
“Sot e fillova ditën me frymëzim, duke bashkëbiseduar me gratë nga Gjilani në restaurantin ‘Nanat’, biznes i udhëhequr nga Qëndresa dhe Liria”, ka shkruar Osmani.
Sipas saj, gjatë takimit u diskutua hapur për sfidat reale me të cilat përballen gratë çdo ditë, si dhe për rëndësinë e krijimit të hapësirave ku ato mund ta mbështesin njëra-tjetrën.
“Diskutuam hapur për sfidat reale me të cilat përballen gratë çdo ditë, si dhe për rëndësinë e krijimit të hapësirave ku gratë mbështesin njëra-tjetrën me besim, solidaritet dhe kurajo”, theksoi ajo.
Osmani shtoi se gratë dhe nënat shqiptare janë shtylla e familjes dhe e shtetit, duke theksuar rolin e tyre në zhvillimin shoqëror.
“Gratë dhe nanat shqiptare janë shtylla e familjes dhe e shtetit tonë, burim force, qëndrueshmërie dhe zhvillimi shoqëror. Ndërsa gratë e Gjilanit kanë dëshmuar historikisht dinjitet, mençuri dhe kontribut të çmuar në çdo etapë të historisë sonë”, ka përfunduar ajo.



