
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur keqardhje dhe shqetësim të thellë për vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pezullimin e dialogut strategjik me Kosovën.
Në një deklaratë, Osmani thekson se Republika e Kosovës është ndërtuar mbi themelet e miqësisë së pathyeshme me SHBA-në.
“Ky raport nuk është vetëm diplomatik, por është pjesë ekzistenciale e identitetit tonë shtetëror dhe kombëtar. Drejt këtij qëllimi, angazhimi i Presidentes ka qenë dhe mbetet i palëkundur dhe i vazhdueshëm, siç është konfirmuar vazhdimisht nga lidershipi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfshirë në letrën e fundit të Presidentit Trump drejtuar Presidentes Osmani të gushtit 2025. Prandaj, Presidentja shprehë keqardhje dhe shqetësim të thellë rreth vendimit për pezullimin e Dialogut Strategjik, një mekanizëm i rëndësishëm i bashkëpunimit në mes Kosovës dhe ShBA-ve,” thuhet në deklaratën e saj.
Osmani ka theksuar se aleanca me SHBA-në është një çështje strategjike që kërkon unitet politik dhe angazhim të të gjithëve në vend.
“Qytetarët e Kosovës e dinë se liria e tyre u bë realitet edhe me ndihmën vendimtare të SHBA-së dhe se pa këtë miqësi historike nuk do të kishim arritur kurrë këtu ku jemi sot. Presidentja e Republikës së Kosovës do të vazhdojë të punojë ngushtë me Shtetet e Bashkuara në të gjitha fushat e interesit të përbashkët: forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon, demokratizimin e mëtejshëm të vendit tonë, ndërtimin e një të ardhmeje euroatlantike, si dhe mbrojtjen e vazhdueshme të sovranitetit, integritetit territorial dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës,” ka shtuar ajo.
Presidentja ka theksuar gjithashtu rëndësinë e mbështetjes amerikane për sigurinë e Kosovës dhe ka bërë thirrje që kjo aleancë të ruhet me seriozitet dhe përgjegjësi maksimale.
Osmani ka konfirmuar se do të angazhohet për rifillimin e dialogut sa më shpejt.
“Sepse partneriteti ynë me Shtetet e Bashkuara është jo vetëm garanci për të tashmen, por edhe busulla më e sigurt drejt së ardhmes.”



