
Vjosa Osmani, presidente e Kosovës, ka pritur në një takim aktivistët e organizatës “Liria ka emër”.
Në takim, Osmani ka shprehur mbështetjen për protestën që pritet të mbahet me 17 shkurt në kërkim të gjykimit të drejtë në Hagë.
“Gjatë takimit u diskutua për rëndësinë e ruajtjes së parimeve të drejtësisë së paanshme, vlerat e luftës çlirimtare, si dhe për përgjegjësinë për kultivimin e kujtesës historike tek brezat e rinj.
Presidentja Osmani theksoi se e mbështet çdo iniciativë qytetare që kërkon drejtësi, duke nënvizuar se Pavarësia e Kosovës ishte vullnet i popullit dhe rezultat i një sakrifice shekullore. Ajo rikujtoi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka zhvilluar një luftë të drejtë dhe të pastër për liri, ndërsa gjenocidi, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës janë kryer nga Serbia ndaj popullit të Kosovës” – ka shkruar Presidenca e Kosovës.



