
Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Gazmend Syla, ka thënë se Qeveria e duhet sa më parë ta procedojë në Kuvend Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Në një konferencë për media ta mbajtur të martën Syla ka thënë se miratimi i këtij Projektligji nuk duhet të zvarritet, derisa ka mirëpritur miratimin e Deklaratës lidhur me vendimin e Speciales ndaj ish-krerëve të UÇK-së nga Kuvendi i Kosovës.
“Deklarata është zotim, ligji është veprim, ata që sot i kanë duart e lidhura në Hagë kanë nevojë për veprime konkrete. Nëse vendi shkon në zgjedhje pa i dhënë Kuvendit mundësinë për të votuar këtë ligj, përgjegjësia politike për mosprocedimin e tij duhet të jetë e qartë dhe e kuptueshme”, është shprehur Syla.
Ai ka thënë se nëse nuk procedohet ky Projektligj, nuk do të rrinë duarkryq.
“Në qoftë se nuk do të merren parasysh kërkesat tona, edhe kjo kërkesë që ka dalë nga një parti politike, në këtë rast e PDK-së, për t’i futur këto ndryshime në ligj, e kuptojmë që është qëllim i keq, e sigurisht ne kemi me i marrë veprimet tona, edhe po e kemi me dalë në rrugë, po do t’i japim mundësi të gjithë atyre në institucionet tona që me u shpreh deri para asaj date, por sido që të jetë, në qoftë se nuk procedohet më tutje, ne veteranët e kategoritë e dala nga lufta nuk do të rrimë duarkryq edhe kemi me i marrë hapa të tjerë, të cilët do të ju bëjmë të ditur”, është shprehur Syla.
Ai gjithashtu ka thënë se janë bërë të gjitha përgatitjet për marshin kundër vendimit të Speciales që do të mbahet më 1 nëntor në orën 16:00.
Syla u ka bërë thirrje të gjitha kategorive të dala nga lufta si dhe të gjithë qytetarëve që të marrin pjesë në marshin që mbahet në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Më 16 shtator Gjykata Speciale i ka dënuar për krime lufte ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi e Jakup Krasniqi me nga 26 vjet burgim, Kadri Valsin me 18 e Rexhep Selimin me 13 vjet.
Me anë të ndryshimeve ligjore në Partinë Demokratike synojnë që mandati i Gjykatës Speciale të kufizohet në trajtimin e krimeve të pretenduara në raportin e Dick Martyt, si dhe të vendoset monitorim ndërkombëtar i punës së saj. Ndërsa për krimet e luftës, për të cilat u dënuan katër ish-krerët e UÇK-së, projektligji i propozuar parasheh që ato të gjykohen në Kosovë.



