
Para Këshillit të Evropës kërkohet lirimi dhe trajtimi i drejtë i të ish-udhëheqësve të UÇK-së, pesë vjet pas arrestimit të tyre.
Organizata e Veteranëve të Luftës sot do të mbajë një protestë në Strasburg, para Këshillit të Evropës, ku do të kërkohet drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Protesta pritet të nisë në orën 13:00 dhe vjen pas tri protestave të mëparshme të mbajtura në Hagë, Prishtinë dhe Tiranë.
Më 5 nëntor janë bërë pesë vjet që prej arrestimit të ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Në këtë përvjetor, Organizatat e dala nga Lufta e UÇK-së theksuan se ata po përballen me një proces të padrejtë dhe nënvizuan se nuk do të dorëzohen në kërkimin e drejtësisë.
Sipas organizatorëve, protesta në Strasburg është një tjetër thirrje drejtuar institucioneve ndërkombëtare për të siguruar trajtim të drejtë dhe për të ngritur zërin kundër, siç e quajnë, padrejtësive që po u bëhen ish-udhëheqësve të luftës së Kosovës.



