Parlamenti i Groenlandës përshpejton mbledhjen pas deklaratave të Trump për marrjen e ishullit

Pesë partitë politike reagojnë ndaj kërcënimeve të SHBA-së dhe theksojnë se e ardhmja e Groenlandës duhet vendosur nga vetë populli i saj.

Parlamenti i Groenlandës do të përshpejtojë një mbledhje të jashtëzakonshme për të diskutuar reagimin ndaj deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka shprehur dëshirën që Shtetet e Bashkuara të marrin kontrollin e ishullit arktik.

banner

Liderët e pesë partive politike të përfaqësuara në asamblenë groenlandeze deklaruan në një qëndrim të përbashkët se janë të shqetësuar nga qëndrimi i SHBA-së dhe kërkuan respekt për sovranitetin e vendit të tyre. Ata theksuan se Groenlanda nuk dëshiron të jetë as amerikane dhe as daneze, por të mbetet groenlandeze.

“Ne duam që përbuzja ndaj vendit tonë të marrë fund. Ne nuk duam të jemi amerikanë, nuk duam të jemi danezë, por groenlandezë,” thuhet në deklaratën e postuar në rrjetet sociale nga kryeministri Jens-Frederik Nielsen.

Sipas udhëheqësve politikë, mbledhja e parlamentit, i njohur si Inatsisartut, do të mbahet më herët se sa ishte planifikuar, me qëllim zhvillimin e një debati gjithëpërfshirës dhe mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve. Data e saktë ende nuk është bërë e ditur.

Trump deklaroi së fundmi se do të “bëjë diçka për Groenlandën, pavarësisht nëse ata e duan apo jo”, duke argumentuar se prania aktuale ushtarake amerikane në ishull nuk është e mjaftueshme për garantimin e sigurisë së tij.

Këto deklarata kanë shqetësuar shumë nga 57 mijë banorët e Groenlandës, të cilët prej vitesh synojnë pavarësinë. Një marrëveshje e vitit 2009 me Danimarkën e njeh të drejtën e groenlandezëve për të shpallur pavarësinë, por partitë politike kanë mendime të ndryshme për mënyrën dhe kohën se si duhet realizuar ajo.

“E ardhmja e vendit tonë duhet vendosur nga ne, pa presione, pa ndërhyrje dhe pa vendime të nxituara,” përfundon deklarata e liderëve politikë, të cilët kërkojnë dialog përmes diplomacisë dhe parimeve ndërkombëtare.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.