
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, ka reaguar ndaj deklaratës së ministres serbe Snezhana Paunoviq, e cila tha se po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj tha se retorika e tillë nuk e frikëson Kosovën, por vetëm e forcon vetëdijen kombëtare të shqiptarëve.

“Kosova kurrë nuk ka qenë zemra e Serbisë. Kosova ka qenë dhe mbetet fundi i Serbisë dhe kapitullimi i saj”, ka shkruar Haradinaj.
Ai shtoi se gjuha e përdorur nga ministrja serbe është vazhdim i mendësisë së regjimit të Sllobodan Millosheviqit.
“Kjo gjuhë millosheviçiane vetëm sa e forcon vetëdijen tonë kombëtare si një komb i lirë dhe i gatshëm ta mbrojë këtë shtet dhe këtë liri nga mendësia gjenocidale, e cila shihet që është bartur brez pas brezi”, u shpreh ai.
Në fund të reagimit, Haradinaj theksoi se “Kosova është zemra e secilit shqiptar”.



