Përfundon numërimi i votave në Mitrovicë, procesi u zhvillua nën mbikëqyrjen e Prokurorisë

Pas dyshimeve për manipulim me fletëvotime, Prokuroria Themelore urdhëroi rifillimin e procesit të verifikimit. PDK kërkon rivotim, ndërsa VV e quan çështjen gabim teknik.

Në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicën e Jugut ka përfunduar procesi i verifikimit dhe numërimit të fletëvotimeve për raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetar të Komunës.

banner

Procesi është zhvilluar gjatë ditës nën mbikëqyrjen e përfaqësuesve të subjekteve politike dhe dy hetuesve policorë të caktuar nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, pas vendimit për rifillimin e numërimit që ishte ndërprerë të hënën për shkak të dyshimeve për manipulim me fletëvotime.

Verifikimi i votave rifilloi të mërkurën me urdhër të Prokurorisë Themelore, pasi ky institucion kishte urdhëruar më herët ndërprerjen e përkohshme të procesit për shkak të raportimeve për parregullsi në disa fletëvotime me numra serikë të ndryshëm.

Sipas sqarimeve të kompanisë CETIS, e cila ka shtypur fletëvotimet, problemi është shkaktuar nga një defekt teknik në një nga pllakat e printerëve me ngjyrë.

Zhvillimet rreth procesit të verifikimit kanë nxitur reagime të shumta. Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar rivotim në këtë komunë, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje (VV) ka deklaruar se ndryshimi i numrave serik është vetëm “gabim teknik”.

Nga ana tjetër, shoqëria civile ka kërkuar që të gjitha fletëvotimet që nuk përputhen me kodin e vendvotimit të shpallen të pavlefshme. Hulumtuesi i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Eugen Cakolli, ka theksuar se “çdo fletëvotim që nuk përputhet me vendvotimin ku është votuar duhet të konsiderohet i pavlefshëm”.

Për kryetar të Mitrovicës në garë ishin Arian Tahiri nga PDK dhe Faton Peci nga Lëvizja Vetëvendosje.

Sipas rezultateve preliminare, fitues doli Peci me 2 mijë e 315 vota më shumë.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.