Përparim Rama pezullon tre zyrtarë komunalë pas arrestimit të tyre

Kryetari i Prishtinës premton zero tolerancë ndaj korrupsionit dhe bashkëpunim të plotë me drejtësinë.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar pezullimin e menjëhershëm nga puna të tre zyrtarëve komunalë, pas arrestimit të tyre nga organet e rendit.

banner

Përmes një deklarate për opinionin publik, Rama bëri të ditur se masa e pezullimit do të mbetet në fuqi deri në përfundimin e plotë të procedurave hetimore dhe gjyqësore.

“Sot kam marrë vendim për pezullimin nga puna të tre zyrtarëve komunalë, pas arrestimit të tyre”, u shpreh Rama.

I pari i Prishtinës theksoi se ky vendim reflekton përkushtimin e institucionit për ligjshmëri dhe transparencë, duke nënvizuar se nuk do të ketë asnjë tolerancë ndaj rasteve të korrupsionit brenda administratës komunale.

Ai garantoi gjithashtu bashkëpunim të plotë me organet e drejtësisë për të zbardhur rastin dhe për të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme administrative në përputhje me ligjin.

“Pezullimi nga puna do të jetë në fuqi deri në përfundimin e procedurave hetimore dhe gjyqësore. Ritheksojmë përkushtimin për ligjshmëri, transparencë dhe zero tolerancë ndaj korrupsionit. Institucioni i Kryeqytetit do të bashkëpunojë plotësisht me organet e drejtësisë. Ne mbetemi të përkushtuar që shërbimet publike të ushtrohen me integritet dhe përgjegjësi në shërbim të qytetarëve. Askush mbi ligjin!”, shtoi Rama.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.