
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, i është kundërpërgjigjur Vjosa Osmanit, pasi kjo e fundit kritikoi ndarjen e fondeve për bizneset në vitin 2020, gjatë Qeverisë Hoti.
Në fjalimin e saj në Kuvend, Osmani tha se fondet e asaj kohe u ishin ndarë “bossave të biznesit”. Ajo theksoi se e kishte kritikuar edhe vetë këtë pako, ndërsa akuzoi Qeverinë aktuale se vetëm “i ka ndërruar bossat e krimit dhe oligarkët”.
Bajrami, e cila në atë kohë drejtonte Ministrinë e Financave, e quajti Osmanin “turiste politike” dhe e akuzoi se po paraqiste të pavërteta. Sipas saj, fondet nuk iu ndanë pronarëve të bizneseve, por u përdorën për pagat e punëtorëve të sektorit privat gjatë pandemisë.
“Mos gënjeni! Në vitin 2020, kur ekonomia ishte komplet e mbyllur për shkak të pandemisë, Qeveria e Republikës së Kosovës ka financuar pagat e punëtorëve të sektorit privat për një muaj, nuk u ka dhënë para ‘bosave të biznesit’”, shkroi Bajrami.
Ajo tha se kriteri për përfitim ishte që punëtorët të figuronin në listat e pagave të Administratës Tatimore të Kosovës për tre muajt paraprakë. Bajrami shtoi se në realizimin e pakos kishin punuar rreth dhjetë shërbyes civilë, përfshirë drejtorët e Thesarit dhe Buxhetit.
Duke iu përgjigjur kritikave për standarde të dyfishta, Bajrami tha se ato varen nga pozita politike e personave që i bëjnë.
“Për ta, e njëjta gjë është e drejtë ose e gabuar, varësisht nga karrigia ku janë ulur”, shkroi ajo.
Osmani tha se kishte planifikuar t’i përgjigjej Bajramit në Kuvend, por nuk iu dha fjala.



