
Ish-kryediplomati thotë se miliarda dollarë janë shpenzuar për Gjykatën Speciale dhe se diplomatët perëndimorë shprehin “keqardhje dhe turp” për rolin e tyre.
Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Petrit Selimi, ka reaguar lidhur me historikun e krijimit të Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke rikujtuar presionin e madh ndërkombëtar që, sipas tij, ka ekzistuar në atë kohë për themelimin e saj.
Në një postim në platformën X, Selimi ka shkruar se gjatë kësaj periudhe janë shpenzuar miliarda dollarë për funksionimin e Gjykatës Speciale dhe se, sipas përvojës së tij, asnjë diplomat evropian apo amerikan që e ka takuar nuk është krenar për rolin e luajtur në krijimin e saj.
“S ecili prej tyre shpreh keqardhje dhe po, turp”, ka shkruar Selimi.
Ai ka shtuar se Specialja e ka dëmtuar në mënyrë të pakthyeshme besueshmërinë e Perëndimit në Kosovë. Sipas tij, në procesin gjyqësor ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së janë paraqitur prova të mjaftueshme për të krijuar dyshime të arsyeshme mbi pretendimet e prokurorisë.
“Gjyqtarët do të duhet ta lirojnë Thaçin nga akuzat. Dëshmitarë të shquar të mbrojtjes dhe avokatët e udhëheqësve të UÇK-së sollën prova më se të mjaftueshme për të krijuar dyshime më shumë se të arsyeshme mbi çështjen e prokurorisë. Por dëmi i shkaktuar besueshmërisë perëndimore në Kosovë është i pariparueshëm”, ka shkruar Selimi.
Proceset gjyqësore në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, përfshirë ish-presidentin Hashim Thaçi, janë ende në zhvillim.



