
Ndonëse jeton vetëm pak metra nga oborri i shkollës, Gjorgji i vogël, fëmijë i etnisë serbe, është larguar nga procesi mësimor nga ana e administratës së shkollës “Sveti Sava”. Nëna e Gjorgjit, Ana Trajkoviq, rrëfen se e gjithë “hakmarrja” filloi kur Qeveria e Kosovës, përmes Ministrisë për Kthim, i ndërtoi shtëpinë në fshatin Shushicë të Graçanicës.
Shtëpia e Ana Trajkoviqit, e përuruar rishtas nga buxheti i Qeverisë së Kosovës, është bërë mollë sherri për Gjorgjin. Që në hyrje, përveç buzëqeshjes, Gjorgji gostit ekipin e Gazetës Politika me sheqerka, që i shijojmë së bashku.
Autor: Mirlind Behluli
Ulemi në divanin e shtëpisë dhe përgatitemi të dëgjojmë rrëfimin e Anës, e cila insiston që afër saj e para kamerës të qëndrojë edhe Gjorgji, si dëshmi e diskriminimit nga shkolla.
Frika e Anës, Gjorgji i ngujuar në shtëpi
Që dy muaj e gjysmë, Gjorgji, që duket se ka një talent në artet figurative, të gjitha vizatimet po i kryen në hapësirën e vogël të shtëpisë. Këto pak metra katrore janë kthyer në shtëpi-shkollë dhe “atelie” personale e shtatëvjecarit, sepse Drejtoria e “Sveti Savës” nuk po e lejon të vazhdojë mësimet në shkollë.
Ana, nëna vetëushqyese e Gjorgjit, akuzon shkollën për diskriminim, që dyshon se nisi si hakmarrje për shtëpinë e ndërtuar nga Qeveria e Kosovës.
“Fëmijën që e kam në klasë të dytë, e kanë larguar nga shkolla drejtori Milan Demitrijeviq, psikologia Mirjana Cirkoviq, pedagogia Gordana Staviq dhe mësuesi Dragan Jovanoviq…Ata nuk e duan në shkollë prej momentit kur Ministria për Kthim ma ndërtoi shtëpinë. Dhe prej atij momenti ka filluar urrejtja ndaj meje, e vecmas ndaj fëmijës” – nis rrëfimin e saj Trajkoviq.
Në intervistën për Gazetën Politika, Trajkoviq hedh akuza të rënda ndaj administratës për maltretim të fëmijës së saj.
“Që dy muaj jam në kontest me shkollën, sepse ma maltretojnë fëmijën, e kapin për qafe, ia ngrehin veshin. Me një fjalë nuk e pranojnë në shkollë” – thotë Trajkoviq, transmeton Gazeta Politika, e cila tregon se tashmë ka hapur zyrtarisht rast në Policinë e Kosovës, ndonëse ankohet për mospërkrahje nga ky institucion.
Trajkoviq thotë se është e frikësuar për jetën e djalit dhe babait të saj të moshuar, të cilët e dëgjojnë me kujdes rrëfimin e Anës, ndonëse Gjorgji duket se kupton pak nga ajo që po ndodh përreth tij.
“Askush, askush nuk po më ndihmon…Zemra po më dhemb kur e shoh fëmijën në këtë gjendje dhe kërkoj ndihmë nga institucionet që ta ndalojnë këtë krim që po ndodh në shkollë. Kjo është e dhimbshme dhe e rëndë. Jam sëmurë, më është ngritur tensioni dhe kam fituar aritmi. Kam dhimbje të zemrës, ngarkesë prej kësaj traume. Vazhdimisht më kërcënojnë se po luaj me kokë. Ashtu që jam e shqetësuar dhe jam shumë e friëksuar për djalin, veten dhe babain” – thotë Trajkoviq.
Shkollës i pengon interesimi
Pas rrëfimit të Anës, me hapa të ngadaltë hyjmë në objektin e shkollës “Sveti Sava”, që gjendet dhjetëra metra larg shtëpisë. Aty ndalemi nga dy punëtore, të cilave u kërkuam që të njoftojnë Drejtoria e shkollës për interesimin e gazetarëve për rastin e Gjorgjit.
Pas njoftimit, nga një kthinë shfaqet befasisht një burrë i gjatë, që, nga dorëzat që mban, duket qartë se është mirëmbajtësi i shkollës. Me një zë solemn, sikur të kumtonte ndonjë ferman sulltanesk, mirëmbajtësi njoftoi se administrata e shkollës nuk dëshiron të deklarohet për këtë rast.
“Dilni nga oborri i shkollës” – ishte fjalia e mirëmbajtësit, ndaj sëcilës reagoi Trajkoviq, e cila tashmë kishte mbëritur në oborrin e shkollës.
@mirlindbehluli983 Ju lutem shperndajeni! "Kush je ti? Mshile gojen; Po me kercenojne me koke": Tensione në Graçanice! Drejtori serb thirre Policine per viziten tone. Qytetarja serbe ankohet se ia perjashtuan djalin, pasi Qeveria e Kosoves ia ndertoi shtepine. ##kosova #prishtina #gracanica #fyp ♬ original sound – Mirlind Behluli
Gjatë kohës sa po dokumentohej prezenca e ekipit të Gazetës Politika, nga jashtë mbërrin një burrë me veturë. Sapo e përfundoi parkimin e veturës, me një qasje aspak miqësore, burri tregon se do ta telefononte Policinë e Kosovës.
Gjatë bisedës, ai tregoi se është drejtori i shkollës, Milan Demitrijeviq, duke telefonuar Policinë e Kosovës, e cila mbërrijti pas pak kohe.
Pasi përfundoi e gjithë skena e përplasjes, në Shunicë mbetet pas Ana, e cila u shpreh e vendosur për të vazhduar betejën për Gjorgjin, që pas gjithë tollovisë, gjente arratisjen në vizatimet e tij
Reagimet…
Pas publikimit të reportazhit nga Gracanica, Arbërie Nagavci, ministre në detyrë e Ministrisë së Arsimit, u shpreh e indinjuar me rastin, duke theksuar se ky diskriminim bie ndesh me ligjet në fuqi. Në një reagim të gjatë, Nagavci kërkoi nga autoritetet lokale që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për të mundësuar që Gjorgji të rikthehet në shkollë.
“Kërkoj nga autoritetet lokale që urgjentisht të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për të mundësuar regjistrimin e fëmijës dhe vijimin e rregullt të mësimit, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe me parimin themelor të interesit më të mirë të fëmijës” – shkroi Nagavci, ndër të tjera.
Edhe Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijve në Kosovë (KOMF) shprehu shqetësimin e thellë lidhur me këtë situatë. Tutje, KOMF-i ka kërkuar angazhimin e të gjitha mekanizmave për të mbrojtur Gjorgjin shtatëvjeçar, duke theksuar se fëmijët duhet të mbrohen nga diskriminimi dhe të kenë akses të barabartë në arsim.
“KOMF kërkon:
Ndërhyrje të menjëhershme të institucioneve komunale për të garantuar vijimin e fëmijës në shkollë.
Angazhim të mekanizmave të mbrojtjes së fëmijës, veçanërisht të Qendrës për Punë Sociale, për ofrimin e shërbimeve të nevojshme për fëmijën dhe familjen.
Hetim nga institucionet e drejtësisë dhe, në rast të evidentimit të shkeljeve ligjore, mbajtjen përgjegjëse të çdo autoriteti apo personi që ka shkelur të drejtën e fëmijës për arsim” – ka shkruar KOMF-i.



