
Shoqata e të Drejtave të Pacientëve kërkon veprime urgjente institucionale dhe forcim të mbikëqyrjes shëndetësore për të parandaluar praktikat pseudo-mjekësore.
Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë (PRAK) ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me raportimet mediatike për një rast në Gjilan, ku një individ dyshohet se ka ofruar “trajtime” për autizëm, përfshirë përdorimin e substancave të destinuara për kafshë, duke i paraqitur ato si terapi shëruese për fëmijë.
Sipas PRAK, ky rast nuk duhet parë si incident i izoluar apo thjesht përgjegjësi individuale penale, por si një fenomen alarmant që nxjerr në pah dështime serioze sistemike në mbrojtjen e pacientëve, veçanërisht të fëmijëve dhe familjeve në situata të ndjeshme emocionale dhe sociale.
Shoqata thekson se një nga shkaqet kryesore të këtij fenomeni është mungesa e shërbimeve të mjaftueshme dhe të qasshme publike për fëmijët me çrregullime të zhvillimit, përfshirë autizmin. Në mungesë të mbështetjes së strukturuar, terapive të vazhdueshme dhe orientimit profesional, familjet mbesin të pambrojtura dhe lehtësisht bëhen pre e pretendimeve mashtruese.
PRAK ngre shqetësim edhe për mungesën e kontrollit institucional dhe mbikëqyrjes efektive ndaj praktikave pseudo-mjekësore, veçanërisht në hapësirat informale dhe online, ku individë pa licencë promovojnë “trajtime” të rrezikshme pa u ndëshkuar në kohë.
Shoqata nënvizon gjithashtu nivelin e ulët të edukimit shëndetësor dhe dezinformimin rreth spektrit të autizmit, duke rikujtuar se autizmi nuk është sëmundje që shërohet, por gjendje që kërkon ndërhyrje multidisiplinare dhe mbështetje afatgjate.
PRAK ka mirëpritur reagimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe konfirmimin e Policisë së Kosovës se rasti po trajtohet në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, por thekson se reagimet pas faktit nuk janë të mjaftueshme për mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve.
Në këtë kontekst, shoqata ka bërë thirrje për veprime konkrete, përfshirë:
Transparencë institucionale dhe informim publik për epilogun e rastit. Forcim të mekanizmave të inspektimit shëndetësor. Zgjerim të shërbimeve publike për fëmijët me autizëm. Fushata të vazhdueshme të edukimit shëndetësor. Vendosje të qartë të përgjegjësisë ligjore për çdo mashtrim që rrezikon shëndetin e fëmijëve.
PRAK rithekson se e drejta për shëndet dhe trajtim të bazuar në shkencë është e panegociueshme dhe se mbrojtja e pacientëve, veçanërisht e fëmijëve, duhet të jetë prioritet real. Shoqata shprehet e gatshme të kontribuojë për të parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen.



