
Këshilltari Bekim Kupina thotë se Presidentja mirëpret çdo verifikim të bazuar në ligj dhe fakte, por jo fushata njollosëse.
Pas raportimeve se Agjencia Kundër Korrupsionit ka nisur procedurën zyrtare për verifikimin e pasurisë së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, nga Presidenca kanë deklaruar se nuk kanë informacione të tilla.
Në një prononcim për rtv21, këshilltari për media i Presidentes, Bekim Kupina, ka thënë se, pavarësisht raportimeve, Presidenca nuk është njoftuar për ndonjë procedurë zyrtare nga Agjencia Kundër Korrupsionit.
Megjithatë, Kupina theksoi se Presidentja Osmani e mirëpret çdo proces verifikimi që zhvillohet në përputhje me ligjin dhe parimet institucionale.
“Presidentja Osmani mirëpret çfarëdo verifikimi nga cilido institucion, që është i bazuar në pavarësi, paanshmëri, integritet, ligj dhe fakte të vërteta, por jo në fushata njollosjesh, të cilat dihet mirëfilli pse po ndodhin”, ka deklaruar Kupina për rtv21.
Nga Presidenca kanë përsëritur për rtv21.tv se deri më tani nuk posedojnë asnjë informacion zyrtar lidhur me nisjen e një procedure të tillë nga Agjencia Kundër Korrupsionit.



