
Në 27-vjetorin e vrasjes së ministrit të parë të Mbrojtjes, Vjosa Osmani thekson se trashëgimia e tij mbetet e gjallë dhe zbardhja e vrasjes është obligim moral e institucional.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar kolonel Ahmet Krasniqin në 27-vjetorin e vrasjes së tij, duke e cilësuar atë si figurë të guximit, sakrificës dhe vizionit për një Kosovë të lirë.
“Kolonel Ahmet Krasniqi, ministri i parë i Mbrojtjes së Kosovës, mbetet simbol i guximit, sakrificës dhe vizionit për një Kosovë të lirë. Ai u vra në mënyrë të pabesë, viktimë e një akti të mjerë që synonte të ndalte përpjekjet për liri. Por, edhe pse u vra koloneli, nuk u vra ëndrra për Kosovën e lirë”, ka shkruar Osmani.
Sipas saj, trashëgimia e kolonelit është e gjallë në çdo hap të shtetndërtimit të Kosovës, ndërsa zbardhja e vrasjes së tij mbetet obligim moral dhe institucional.
“Qoftë i përjetshëm kujtimi për kolonel Ahmet Krasniqin!”, ka përfunduar presidentja.



