
Osmani vlerëson kontributin e Dacit në ndërtimin e institucioneve demokratike të Kosovës, varrimi mbahet sot në Dragodan.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka kryer sot homazhe në Kuvendin e Kosovës për ish-kryetarin e Kuvendit, Nexhat Daci, i cili vdiq të enjten në moshën 81-vjeçare.
Presidentja Osmani, e shoqëruar nga Zotëria i Parë, Prindon Sadriu, ka bërë homazhe pranë arkivolit të ish-kryeparlamentarit, duke nderuar figurën dhe kontributin e tij në ndërtimin e institucioneve demokratike të vendit.
Me këtë rast, Osmani ka shkruar edhe në librin e zisë, ku ka shprehur ngushëllimet për familjen Daci, miqtë dhe bashkëpunëtorët e të ndjerit.
Në homazhe kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të institucioneve, personalitete nga jeta politike dhe akademike, si dhe qytetarë të shumtë që kanë ardhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit ish-kryetarit të Kuvendit.
Nexhat Daci ka qenë një nga figurat kyçe të jetës institucionale të Kosovës pas luftës, duke ushtruar funksionin e kryetarit të Kuvendit dhe atë të presidentit në detyrë, si dhe duke dhënë kontribut të çmuar në fushën akademike. Vdekja e tij ka ngjallur reagime të shumta ngushëllimi nga spektri politik dhe institucional.
Ceremonia e varrimit me nderime shtetërore do të mbahet sot nga ora 13:40 deri në 14:20, në Varrezat e Dragodanit.




