
PZAP pranon ankesën e LDK-së dhe lejon votimin vetëm në përfaqësitë diplomatike; ministri në detyrë i financave thotë se diaspora po dëmtohet qëllimisht.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar ashpër pas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili pranoi ankesën e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe anuloi qendrat alternative të votimit jashtë vendit, duke përcaktuar që votimi të zhvillohet vetëm në përfaqësitë diplomatike të Kosovës.
Murati, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, e cilësoi vendimin si goditje ndaj diasporës dhe akuzoi LDK-në se po punon kundër interesit të qytetarëve që jetojnë jashtë vendit.
“A din dikush me tregu pse LDK-ja është kaq kundër diasporës?”, shkroi ai, duke theksuar se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës kishte ofruar hapësira shtesë për votim, përtej ambasadave dhe konsullatave, me qëllim që procesi të ishte më i afërt dhe më i qasshëm për votuesit jashtë Kosovës.
Sipas tij, këto hapësira shtesë do ta lehtësonin procesin për diasporën, por LDK-ja ka zgjedhur të kundërshtojë këtë lehtësim përmes ankesës në PZAP, e cila u miratua.
Murati shtoi se veprimet e LDK-së bien ndesh me deklaratat publike të kësaj partie.
“Me deklarata LDK-ja e kërkon votën e diasporës, ama me vepra po shihet që po bën çmos që ta pengojë”, theksoi ai.



