
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, njofton mbështetjen financiare për studentët dhe miratimin e bursës së mobilitetit, në kuadër të ndarjes së rritjes ekonomike me qytetarët.
Qeveria në detyrë e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, ka vendosur të ndajë nga 100 euro për të gjithë studentët, si pjesë e politikave për shpërndarjen e rritjes ekonomike me qytetarët.
Lajmin e ka bërë të ditur vet kryeministri Kurti, i cili theksoi se pavarësisht pezullimit të formimit të institucioneve të reja, ekonomia e vendit po vazhdon të rritet me ritme të qëndrueshme.
“Përderisa formimi i institucioneve të reja ende mbahet pezull, ekonomia vazhdon të rritet duke shënuar rritje prej 4.58% të Bruto Produktit Vendor, bashkë me ekonominë rriten të hyrat buxhetore, që kanë shënuar rritje prej 10%. Si qeveri që ka për bazë interesin e qytetarëve, e kemi dëshmuar se rritjen ekonomike e ndajmë me qytetarët, sepse kur rritja ndahet, ajo shumohet”, tha Kurti.
Ai shtoi se kjo mbështetje vjen në prag të fillimit të vitit të ri akademik, për t’ua lehtësuar studentëve dhe familjeve të tyre përballimin e shpenzimeve.
Në të njëjtën kohë, Kurti njoftoi edhe për miratimin e bursës së mobilitetit, një tjetër premtim të qeverisë së tij.
“Mbështetja për studentë nuk mbaron me kaq. Sot do të miratojmë edhe përmbushjen e një prej premtimeve të qeverisë Kurti 3 — bursën e mobilitetit për studentët e bachelorit, për studentët në nevojë, dhe shuma do të varet nga distanca e vendbanimit dhe vendi ku studioni. Sa më larg e keni universitetin, aq më e madhe do të jetë mbështetja për ju,” deklaroi kryeministri.



