
Publicisti kritikon reagimet e Vetëvendosjes ndaj raportimit të një gazete zvicerane për bisedimet joformale mes delegacioneve kosovare dhe serbe
Gazetari dhe publicisti Enver Robelli ka kritikuar ashpër polemikat e fundit të eksponentëve të Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me të ashtuquajturat “bisedime në Solothurn” të Zvicrës mes delegacioneve kosovare dhe serbe.
Sipas Robellit, përfaqësuesit e VV-së nuk do të duhej të zhvillonin polemika me akterë lokalë, pasi raportimi për këto bisedime është publikuar nga një gazetë zvicerane, konkretisht “Neue Zürcher Zeitung” (NZZ). Ai thekson se, nëse ka diçka për t’u demantuar, adresa e vetme është vetë gazeta zvicerane, kontaktet e së cilës janë publike.
“Jam kureshtar nëse eksponentë të VV-së, disa prej tyre zhurmaxhinj notorikë, do të kërkojnë nga gazeta zvicerane ta korrigjojë tekstin dhe edhe më kureshtar jam se cila do të jetë përgjigjja e mediumit zviceran”, shkruan Robelli.
Ai nënvizon se nuk është problem të bisedohet me përfaqësues të Serbisë apo të pakicës serbe, por problem, sipas tij, është ngritja në një piedestal moral dhe etiketimi i të tjerëve si të padenjë.
“Ky trapazan pseudopatriotik, me logjikën ‘ne nuk flasim me Serbinë, ju të tjerët flisni’, mund t’u shitet disa të trushpëlarëve, por opinioni kritik nuk i blen këto dokrra”, thekson Robelli.
Në fund, ai shtron pyetjen se cila është alternativa e dialogut, duke paralajmëruar se mungesa e tij çon vetëm drejt luftës dhe tensioneve të përhershme, nga të cilat, sipas tij, humbin të gjithë – si shqiptarët, ashtu edhe serbët.



