Rohde: Kosova ta formojë Asociacionin dhe Serbia të pranojë se Kosova është shtet sovran

Pas pesë vitesh në Prishtinë, Jorn Rohde ia lë vendin Rainer Rudolfinit; në intervistën e fundit thekson nevojën për respektimin e të drejtave të minoriteteve dhe normalizimin e plotë të marrëdhënieve Kosovë–Serbi.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, do të largohet nga Prishtina këtë të premte pas pesë viteve në detyrë, ndërsa në këtë post do ta zëvendësojë diplomati gjerman Rainer Rudolfin.

banner

Para largimit, Rohde dha një intervistë për mediumin serb Kosovo-online, të transmetuar nga Zëri.info, ku foli për përvojën e tij në Kosovë dhe sfidat që mbeten përpara. Ai theksoi se Qeveria e Kosovës ka obligim të formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, në mënyrë që serbët e Kosovës të kenë vetëqeverisje në fushat e arsimit dhe shëndetësisë brenda sistemit kosovar.

“Komuniteti minoritar është i detyruar të tregojë se e konsideron Kosovën si shtetin e tij. Një shembull i mirë është vendimi i Qeverisë për të zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pronësinë e Manastirit të Deçanit”, tha Rohde, duke shtuar se ky hap dëshmon respektimin e të drejtave të pakicave.

Diplomati gjerman nënvizoi gjithashtu se edhe Serbia duhet të bëjë hapin e saj duke e njohur Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur. Ai e quajti “anomali” përdorimin e pullave postare dhe dinarit serb në veri të vendit, duke e krahasuar situatën me pakicat gjermane në Danimarkë dhe ato daneze në Gjermani, të cilat përdorin shërbimet dhe monedhën e shtetit ku jetojnë.

“Ky është një normalitet i nevojshëm për të gjithë qytetarët”, tha ambasadori në largim, duke përmbyllur mandatin e tij pesëvjeçar në Kosovë.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.