
Zëvendëssekretarja e Përgjithshme thotë se Aleanca pret rezultate konkrete, ndërsa Mark Rutte rikujton premtimin e Vuçiqit.
Zëvendëssekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Radmilla Shekerinska, ka deklaruar se Aleanca pret që përgjegjësit për sulmin e Banjskës të dalin para drejtësisë, me qëllim që ngjarje të tilla të mos përsëriten.
Në një intervistë për agjencinë e lajmeve Beta, Shekerinska ka theksuar se NATO ka marrë garanci nga autoritetet në Beograd se përgjegjësia do të përcaktohet.
“Ne morëm garanci ose një angazhim shumë të qartë nga autoritetet në Beograd se përgjegjësia do të përcaktohet dhe ky do të jetë qëndrimi ynë në të ardhmen”, ka thënë ajo.
Deklarata e saj vjen pasi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, në një konferencë në Bruksel këtë javë, tha se “ende pret përgjegjësi” për ngjarjet në Kosovë, duke shtuar se presidenti serb i kishte premtuar se do ta përmbushte këtë obligim dhe se pret që kjo të ndodhë së shpejti.
Duke komentuar këtë qëndrim, Shekerinska tha se deklaratat e Rutte-s tregojnë qartë se NATO pret nga autoritetet serbe rezultate konkrete. E pyetur nëse kjo nënkupton se deri më tani nuk ka pasur përparim në këtë çështje, ajo u përgjigj se pikërisht për këtë arsye Rutte po bën thirrje të përsëritura për përgjegjësi.



