
Sekretari amerikan i Shtetit thotë se kontrolli mbi fushat e naftës ka mbajtur në këmbë regjimin dhe se kjo duhet të ndryshojë.
Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara, Marco Rubio, ka deklaruar se pasuritë naftëmbajtëse të Venezuelës nuk kanë sjellë përfitime për popullin e vendit për më shumë se një dekadë, por kanë shërbyer për pasurimin e një grupi shumë të vogël njerëzish të lidhur me pushtetin.
Në një deklaratë për mediat e huaja, Rubio theksoi se fushat e naftës i kanë kthyer disa individë në multimilionerë dhe miliarderë, ndërsa shumica e qytetarëve kanë mbetur në varfëri. Sipas tij, pikërisht ky kontroll mbi të ardhurat nga nafta ka qenë shtylla kryesore që e ka mbajtur në këmbë regjimin aktual në Venezuelë.
“Këto fusha nafte nuk i kanë sjellë asnjë përfitim popullit të Venezuelës për më shumë se dhjetë vjet. Ato kanë pasuruar vetëm një grusht njerëzish dhe kjo është ajo që e ka mbajtur këtë regjim në pushtet. Kjo është ajo që duhet të adresohet”, ka deklaruar Rubio.
Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara mbështesin ndryshime që do të sigurojnë që pasuritë natyrore të Venezuelës të shërbejnë për të mirën e qytetarëve dhe jo për interesat e ngushta të elitave politike. Deklaratat e Rubios vijnë në një kohë tensionesh të shtuara lidhur me të ardhmen politike dhe ekonomike të Venezuelës.



