
Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, ka reaguar ashpër pas debatit të krijuar rreth publikimit të një dokumenti ku përmendet emri i Heroit të Kombit, Tahir Sinani, duke e cilësuar ngjarjen si një sulm ndaj luftës së UÇK-së.
Në një deklaratë të Partisë Demokratike, Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe ministrin Taulant Balla për përpjekje, sipas tij, për të përbaltur luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Përpjekja për përbaltjen, me porosi të Edi Ramës, të Heroit të Kombit Tahir Sinani dhe luftëtarëve të tjerë të UÇK-së është një akt i ulët, antishqiptar dhe serbomadh”, thuhet në reagim.
Berisha ka vlerësuar luftën për çlirimin e Kosovës si një nga faqet më të ndritura të historisë moderne shqiptare.
“Partia Demokratike e konsideron luftën për çlirimin e Kosovës si faqen më të ndritur të luftërave të shqiptarëve për liri dhe dinjitet kombëtar pas atyre të Skënderbeut”, thuhet në deklaratë.
Më tej, PD-ja ka dënuar atë që e quan përpjekje për të njollosur luftën e UÇK-së, dëshmorët dhe luftëtarët e saj.



