Seanca për Projektbuxhetin 2026 shtyhet për të hënën pas kritikave të opozitës

Leximi i parë i projektligjit do të mbahet të hënën, ndërsa opozita kërkon më shumë kohë dhe pjesëmarrje të kryeministrit Kurti.

Seanca për shqyrtimin e Projektbuxhetit 2026 është shtyrë për të hënën në orën 10:00, raporton Reporteri.net. Vendimi erdhi pas konsultës së Kryeparlamentares Albulena Haxhiu me shefat e grupeve parlamentare, pasi opozita kritikoi procedurën e ndjekur për projektligjin.

banner

Haxhiu sqaroi se leximi i parë është parashikuar për të hënën, ndërsa leximi i dytë do të mbahet të premten.

Kreu i Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, i kërkoi qeverisë të tërheqë projektligjin.

“Tërhiqeni dhe sillni pas tri ditë, jeni të bindur që kemi me ia votu që të hyjë në procedurë të përshpejtuar”, deklaroi Hamza.

Ndërkaq, kreu i Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se nuk e mbështesin projektligjin, pasi katër ministra nuk kanë buxhet fare. Ai kritikoi edhe mungesën e Kryeministrit Albin Kurti në seancë.

“Bëhuni më serioz. Jepuni kohë deputetëve ta lexojnë tri-katër ditë. Përshtateni me kabinetin tuaj fillimisht. Përshtateni me komunat. Prishtina e ka miratuar buxhetin që sa kohë, por ju nuk e keni në buxhet. Është mirë me qenë edhe zoti i shtëpisë këtu, kryeministri”, deklaroi Abdixhiku.

Haxhiu sqaroi se Kryeministri ndodhet në Munich për Konferencën e Sigurisë.

Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës vlerësuan se nuk ka urgjencë për miratimin e buxhetit sot, duke kujtuar vendimin e djeshëm për zgjatje buxhetore edhe për muajin mars.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, premtoi se do të bëhet rishikimi i buxhetit muajin e ardhshëm.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.