
Presidenti i ShBA-së, Donald Trump ka nënshkruar Aktin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare 2026 me një buxhet record prej 901 miliardë dollarësh në shpenzimet ushtarake vjetore.
Në këtë buxhet përmendet edhe Kosova, ndaj të cilës janë ofruar garanci të mëdha nga Administrata Trump. ShBA-ja zyrtarisht përkrah marrëveshjen finale që bazohet në njohje reciproke.
Po ashtu, Administrata Trump ka marrë qëndrim kundër ndarjes territoriale mbi baza etnike dhe kundërshton korrigjimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, një ide që dikur ishte popullarizuar nga ish-presidenti Hashim Thaçi.
“Është politikë e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara që të mos ndjekë asnjë politikë që mbështet shkëmbime territoresh, ndarje, apo forma të tjera të rishikimit ose ridizajnimit të kufijve përgjatë vijave etnike në Ballkanin Perëndimor, si mjet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet shteteve të rajonit” – thuhet në kapitullin për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, ndër të tjera.



