
Ish-eprori i UÇK-së e quan “zgjidhje të guximshme” në kohë bllokade politike
Ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Shukri Buja, ka propozuar ish-kryeparlamentarin Jakup Krasniqi për President të Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Buja ka deklaruar se vendi ndodhet në një “rreth vicioz” sa i përket konstituimit të organeve shtetërore dhe se zgjedhjet e reja, sipas tij, nuk do të ofronin zgjidhje reale. Ai tha se Kosova ka nevojë për një hap të guximshëm dhe të qëndrueshëm politik.
“Me zemër do ta propozoja Hashim Thaçin, por kjo mund të jetë e vështirë politikisht e kalueshme. Prandaj propozimi im është i qartë: Z. Jakup Krasniqi”, ka shkruar Buja.
Ai e cilësoi Krasniqin si personalitet atdhetar dhe figurë konsensuale, duke theksuar se ndonëse aktualisht ndodhet në paraburgim në Hagë, ai nuk është i dënuar. Buja iu referua Kushtetutës së Kosovës, duke përmendur parimin e prezumimit të pafajësisë dhe dispozitat që rregullojnë ushtrimin e funksionit të Presidentit në rast pamundësie të përkohshme.
Sipas tij, zgjedhja e Krasniqit do të përbënte një mesazh politik dhe moral në raport me procesin e Dhomave të Specializuara, duke shtuar se partitë si PDK dhe AAK nuk do të kishin arsye ta kundërshtonin një kandidaturë të tillë, ndërsa për LDK-në tha se qëndrimi i saj mund të jetë i ndarë.
Buja përmendi gjithashtu edhe Listën Guxo dhe presidenten aktuale Vjosa Osmani, duke thënë se mbështetja për Krasniqin do të dëshmonte qëndrimin e tyre lidhur me pafajësinë e ish-udhëheqësve të luftës.



