
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas kritikave nga Greqia lidhur me replikat mes tij dhe gazetarit greko-amerikan, John Defterios, gjatë Samitit të Zhvillimit të Qëndrueshëm në Abu Dhabi. Kreu i qeverisë shqiptare, pasi kuptoi se gazetari ishte grek, i tha: “Ju mendoni se jeni pasardhës të Platonit dhe Aristotelit, por nuk jeni”.
Sipas Ramës, komenti i tij nuk ka qenë me tone tendencioze, por thjesht humor. Ai thekson se fjala e tij është shkëputur plotësisht nga konteksti dhe është kthyer në një polemikë publike me pathos nacionalist, gjë që sipas tij ndodh shpesh në mediat greke.
Ndër të tjera, Rama shton se populli grek për të është një fqinj i pazëvendësueshëm dhe vëlla i patjetërsueshëm i popullit shqiptar, ndërsa për kryeministrin e Greqisë ushqen një respekt të veçantë.
Kryeministri nuk kurse as ironitë për ata që i cilëson si “të shqetësuarit dhe të lënduarit” nga humori i tij, duke shtuar se nuk duhet t’i kërkohet që kushdo që shkruan e flet greqisht me pathos nacionalist t’i duket si pasardhës i Platonit dhe Aristotelit.
“Por ama mos më kërkojë askush ndër të shqetësuarit dhe të lënduarit me humorin tim, që kush shkruan e flet greqisht me pathosin nacionalist të të larpërmendurve, të më duket si pasardhës i Platonit dhe Aristotelit!”, shkruan Rama.
Reagimi i Ramës:
Rama shprehet se është i mahnitur nga reagimi i disa mediave në Athinë dhe i disa politikanëve grekë, duke theksuar se tonet e tij nuk kanë qenë tendencioze, por humor miqësor gjatë bashkëbisedimit me gazetarin John Defterios në panelin e Samitit të Zhvillimit të Qëndrueshëm në Abu Dhabi.
Ai thekson se është e pabesueshme që një fjali e thënë me humor të shkëputet nga konteksti dhe të kthehet në polemikë publike me pathos nacionalist.
Rama siguron se nuk ka asnjë dyshim që Platoni dhe Aristoteli janë filozofë grekë dhe se Greqia e Lashtë është djepi i qytetërimit europian. Ai shton se kultura greke meriton admirim, jo vetëm për filozofët e lashtësisë, por edhe për poetët, shkrimtarët, kineastët dhe muzikën që i ka dhënë njerëzimit.
Po ashtu, kryeministri shprehet se ushqen ndjenja pozitive për Greqinë, se populli grek është për të një fqinj i pazëvendësueshëm dhe vëlla i patjetërsueshëm i shqiptarëve, ndërsa për kryeministrin grek ka respekt të veçantë.
Reagimi i mediave greke:
Mediat greke i kanë cilësuar komentet e Edi Ramës si një sulm të paprovokuar ndaj gazetarit greko-amerikan John Defterios. Gazeta “Protothema” shkruan se incidenti nisi kur Defterios shqiptoi gabim emrat e Ramës dhe të kryeministrit malazez Milojko Spajić gjatë prezantimit.
Sipas artikullit, pasi të dy liderët dolën në skenë, Spajić e korrigjoi gazetarin, ndërsa Rama reagoi më ashpër, duke ia atribuar gabimin faktit se gazetari ishte grek.
Më vonë, gjatë diskutimit për investimet në energji, Rama u shpreh se Defterios si grek duhet ta njihte ministrin e Energjisë të Emirateve të Bashkuara Arabe, duke e tallur se mendon se ka monopol mbi filozofinë dhe është trashëgimtar i Platonit dhe Aristotelit.
Sipas mediave greke, sulmet vazhduan edhe gjatë diskutimit për madhësinë e investimit, ku Rama ironizoi mënyrën e llogaritjes së gazetarit për shumat financiare.
Në fund është publikuar edhe fragmenti i plotë i dialogut mes Ramës dhe Defterios gjatë panelit në Abu Dhabi.



