
Forcat suedeze bashkohen me aleatët në kuadër të ushtrimit “Operacioni Qëndresa Arktike”.
Oficerë të armatosur suedezë janë nisur të mërkurën drejt Grenlandës me kërkesë të Danimarkës, ka bërë të ditur kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson. Ende nuk dihet numri i saktë i trupave që do të dërgohen, por sipas tij, ata janë pjesë e një grupi të përbërë nga forca të vendeve aleate, raporton BBC.
Kristersson, përmes një deklarate të publikuar në internet, tha se forcat do të marrin pjesë në ushtrimin danez “Operacioni Qëndresa Arktike”, ku do të përgatiten për kushtet ekstreme të rajonit. “Së bashku, ata do të përgatiten për elementet në ardhje brenda kornizës së ushtrimit danez,” u shpreh ai.
Ditëve të fundit, Suedia ka shprehur mbështetje të fuqishme për Danimarkën, pasi presidenti amerikan Donald Trump rihapi diskutimet për marrjen nën kontroll të Grenlandës, territor autonom i Mbretërisë së Danimarkës.
Ndërkohë, qeveria daneze ka njoftuar se forcat e saj të armatosura do të zgjerojnë praninë në Grenlandë, duke vepruar në bashkëpunim të ngushtë me aleatët. Ministri i Mbrojtjes, Troels Lund Poulsen, deklaroi se siguria në Arktik është me rëndësi jetike për Danimarkën.
Ai shtoi se, së bashku me aleatët evropianë dhe arktikë, Danimarka do të shqyrtojë në javët e ardhshme mënyrat për të rritur praninë dhe aktivitetet ushtarake në rajon përmes ushtrimeve të përbashkëta.
Gjithashtu, Ministria e Mbrojtjes e Gjermanisë ka bërë të ditur se do të dërgojë 13 trupa në një mision zbulimi, së bashku me vende të tjera evropiane. Ky mision do të zhvillohet nga e enjtja deri të shtunën, me kërkesë të Danimarkës.



