
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme thotë se rastet janë të identifikuara dhe po hetohen profesionalisht, pa rrezik për publikun.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se kohëve të fundit Serbia ka shkelur hapësirën ajrore të Kosovës përmes dronëve.
“Shiheni, në vazhdimësi ne kërcënohemi nga Serbia. Tash kohën e fundit ka pasur lëvizje të paautorizuara apo shkelje të hapësirës sonë ajrore nga dronë që qarkullojnë periodikisht mbi Kosovë”, tha ai.
Sveçla shtoi se disa raste të dronëve serbë janë identifikuar dhe po hetohen profesionalisht në bashkëpunim me KFOR dhe shërbimet partnere. Ai siguroi qytetarët se për momentin nuk ka asgjë për t’u brengosur.
“Ka ndodhur në disa raste, por të gjitha institucionet e Kosovës janë në krye të detyrës. Ne do të ndajmë informatat sapo të kemi më shumë të dhëna”, tha ai.
Ministri gjithashtu theksoi se parada ushtarake e Serbisë përbën një kërcënim simbolik, duke shpjeguar se Serbia potencialisht mund të cenonte vetëm Bosnjë e Hercegovinën dhe Kosovën, pasi vendet e tjera fqinje janë anëtare të NATO-s. Ai theksoi se Kosova po fuqizohet çdo ditë e më shumë, por mbetet ballafaquar me politikën e vjetër hegjemone të Serbisë.



