
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së kritikon VV-në për mungesë të procesit politik dhe të një kandidati konsensual.
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka kritikuar partinë fituese, Lëvizjen Vetëvendosje, duke thënë se ajo mban përgjegjësinë kryesore për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
Tahiri deklaroi para mediave se kryeministri Albin Kurti nuk i ka 80 votat e nevojshme për ta zgjedhur presidentin në Kuvend.
“Në mungesë të këtyre votave nuk ka ndodhur një proces politik për të zgjedhur një kandidat konsensual. Nuk ka ndodhur asnjë tryezë serioze për të diskutuar profilin e një kandidati konsensual për vendosjen e emrave të subjekteve politike dhe pastaj dakordimin e dy apo tre emrave”, tha ai.
Sipas Tahirit, mungesa e dialogut dhe e një procesi të strukturuar politik e vështirëson arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit, ndërsa theksoi se përgjegjësia bie mbi partinë që ka dalë e para në zgjedhje.
Zgjedhja e presidentit kërkon 80 vota në dy raundet e para të votimit, ndërsa në raundin e tretë mjaftojnë 61 vota, nëse ka kuorum në sallë.



