
Deputeti i sapozgjedhur i PDK-së thotë se prezantimi në gjimnazin “Xhevdet Doda” relativizon Luftën Çlirimtare dhe kërkon reagim institucional.
Deputeti i sapozgjedhur i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arian Tahiri, ka reaguar ashpër ndaj mbajtjes së një ligjërate nga përfaqësues të Gjykatës Speciale në gjimnazin “Xhevdet Doda” në Prishtinë, duke e cilësuar atë si përpjekje për rishkrim dhe deformim të historisë së Kosovës.
Përmes një shkrimi në Facebook, Tahiri tha se ligjërata kishte “një tendencë të qartë për të relativizuar dhe deformuar historinë tonë kombëtare”, duke shtuar se shkollat nuk duhet të shndërrohen në hapësira për narrativa të njëanshme politike.
“Kjo nuk është edukim, kjo është ndërhyrje e rrezikshme në kujtesën historike të brezit të ri”, u shpreh ai.
Sipas Tahirit, Lufta Çlirimtare e Kosovës ishte luftë për liri dhe nuk mund të paraqitet si projekt kriminal përmes prezantimeve të tilla në institucione arsimore. Ai theksoi se historia e vendit nuk duhet të jetë “temë për eksperimente politike apo narrativa të imponuara”.
Deputeti i PDK-së kërkoi që institucionet përgjegjëse të reagojnë, duke paralajmëruar se mosveprimi institucional është po aq i dëmshëm sa veprimi i gabuar.
“Shkollat duhet të jenë hapësira të dijes së balancuar, jo platforma ku abuzohet me historinë dhe të vërtetën tonë kombëtare”, përfundoi Tahiri.



