
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës thekson se qëndrimi i partisë mbetet i pandryshuar dhe përjashton çdo mundësi bashkëpunimi me Lëvizjen Vetëvendosje në qeverinë e re.
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, ka përsëritur qëndrimin e qartë të partisë së saj në lidhje me bashkëpunimin e mundshëm me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), duke theksuar se AAK-ja nuk do të bëhet pjesë e Qeverisë Kurti 3.
Në një prononcim për Arbresh.info, Kadrijaj tha se qëndrimi i AAK-së nuk ka pësuar asnjë ndryshim dhe se partia e drejtuar nga Ramush Haradinaj do të qëndrojë në opozitë.
“Jo, nuk do të bëhemi pjesë e Qeverisë Kurti 3,” deklaroi shkurt Kadrijaj.
Ky qëndrim vjen në një kohë kur Lëvizja Vetëvendosje po zhvillon konsultime me parti të ndryshme parlamentare për formimin e qeverisë së re, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
AAK-ja ka bërë të ditur vazhdimisht se nuk do të mbështesë asnjë qeveri të udhëhequr nga Albin Kurti, duke theksuar se do të ushtrojë rolin e saj opozitar në Kuvendin e Kosovës.



