
Fotoja u publikua nga senatori Lindsey Graham, ndërsa Trump paralajmëron goditje të ashpra ndaj Iranit nëse shtypen protestat.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është shfaqur duke mbajtur një kapelë me mbishkrimin “Make Iran Great Again”, menjëherë pas arrestimit të presidentit venezuelian Nicolás Maduro. Fotoja është publikuar në rrjetin social X nga senatori republikan Lindsey Graham, një aleat i afërt i Trumpit dhe i njohur për qëndrimet e tij të ashpra në politikën e jashtme.
Në postimin e tij, Graham shkroi se Trump e ka bërë Amerikën më të fortë si brenda ashtu edhe jashtë vendit.
“Zoti e bekoftë Komandantin tonë të Përgjithshëm dhe të gjithë burrat dhe gratë e guximshme që shërbejnë nën komandën e tij. Jam krenar që jam amerikan. Zoti i bekoftë dhe i mbroftë njerëzit e guximshëm të Iranit që po ngrihen kundër tiranisë”, ka shkruar senatori republikan.
Shfaqja e Trumpit me këtë kapelë simbolike vjen në një kohë tensionesh të shtuara ndërkombëtare, teksa presidenti amerikan ka ripërsëritur kërcënimet se Shtetet e Bashkuara do ta godasin Iranin “shumë ashpër” nëse forcat e sigurisë iraniane vrasin protestuesit antiqeveritarë.



