Turqia i kërkon SHBA-së zgjidhje graduale me Iranin: Marrëveshjet “një nga një”, jo paketë gjithëpërfshirëse

Ministri i Jashtëm Hakan Fidan paralajmëron se presioni i tepërt mund të poshtërojë Teheranin; Ankaraja kundërshton çdo ndërhyrje ushtarake dhe mbështet dialogun për programin bërthamor.!

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, i ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës që mosmarrëveshjet me Iranin t’i zgjidhin në mënyrë graduale, “një nga një”, dhe jo përmes një marrëveshjeje të gjerë dhe gjithëpërfshirëse, duke argumentuar se një qasje e tillë do të shmangte poshtërimin e zyrtarëve iranianë dhe do ta bënte dialogun më të pranueshëm për Teheranin.

banner

Në një intervistë për Al Jazeera, Fidan theksoi se Irani është i gatshëm të zhvillojë bisedime për programin e tij bërthamor, ndërsa shtoi se Turqia kundërshton çdo ndërhyrje apo sulm të huaj ndaj këtij shteti.

“Unë gjithmonë i këshilloj miqtë amerikanë: mbyllini çështjet një nga një me iranianët. Filloni me bërthamoren, mbylleni atë, pastaj çështjet e tjera. Nëse i vendosni të gjitha në një paketë, do të jetë shumë e vështirë që ata ta pranojnë dhe mund të duket poshtëruese për ta”, deklaroi ai.

Komentet e tij vijnë në një kohë tensionesh të larta mes Uashingtonit dhe Teheranit. Presidenti amerikan Donald Trump tha së fundmi se SHBA-ja ka dërguar një “armadë” drejt Iranit, por shprehu shpresën se nuk do të jetë e nevojshme përdorimi i forcës, duke paralajmëruar Teheranin kundër dhunës ndaj protestuesve dhe rifillimit të programit bërthamor.

Ndërkohë, autoritetet iraniane kanë ndërmarrë masa të ashpra ndaj protestave kundër qeverisë, duke rezultuar në mijëra të arrestuar dhe viktima. Zyrtarët në Teheran kanë fajësuar për trazirat grupe të lidhura me armiqtë e vendit, përfshirë SHBA-në dhe Izraelin, ndërsa organizatat për të drejtat e njeriut i konsiderojnë këto protesta si më të mëdhatë që nga revolucioni i vitit 1979.

Në qershor, SHBA-ja goditi objekte bërthamore iraniane mes tensioneve rajonale të shtuara me Izraelin për shkak të luftës në Gaza. Megjithatë, bisedimet për programin bërthamor të Iranit, për të cilin Teherani këmbëngul se ka qëllime paqësore, kanë bërë pak përparim.

Turqia, si anëtare e NATO-s dhe vend fqinj me Iranin, ka bërë të ditur se ka kontaktuar si me zyrtarët amerikanë ashtu edhe me ata iranianë, duke theksuar se çdo destabilizim i mëtejshëm do të ishte i rrezikshëm për të gjithë rajonin. Ankaraja insiston se Irani duhet të lejohet t’i menaxhojë vetë çështjet e brendshme përmes dialogut dhe jo përmes përshkallëzimit ushtarak.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.