
Komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutash, thotë se sulmet janë të papranueshme dhe se janë angazhuar 1000 trupa shtesë për sigurinë në veri të Kosovës.
Sulmi terrorist në Banjskë dhe incidentet kundër trupave të KFOR-it në Zveçan janë konsideruar të papranueshme nga NATO, e cila si përgjigje ka vendosur të përforcojë praninë e saj ushtarake në veri të Kosovës me 1000 trupa shtesë dhe të intensifikojë patrullimet pranë vijës kufitare administrative (AVN).
Kështu ka deklaruar komandanti i KFOR-it në Kosovë, Ozkan Ulutash, në emisionin “Këndi i Debatit”, ku theksoi se NATO ka reaguar menjëherë pas këtyre ngjarjeve, duke ndërmarrë masa konkrete për garantimin e sigurisë dhe stabilitetit.
Sipas Ulutashit, KFOR-i aktualisht po zhvillon patrullime të përbashkëta me Policinë e Kosovës në veriun e vendit, si dhe patrullime të sinkronizuara me forcat e armatosura të Serbisë përgjatë vijës kufitare administrative.
“Sulmi në Banjskë dhe sulmi kundër trupave të KFOR-it në Zveçan janë të papranueshme. NATO u përgjigj menjëherë duke përforcuar KFOR-in me 1000 trupa shtesë dhe duke shtuar aktivitetet patrulluese pranë vijës kufitare administrative”, deklaroi Ulutash.
Ai shtoi se situata e sigurisë po monitorohet nga afër dhe se deri më tani nuk janë vërejtur indikatorë që do të sugjeronin ndonjë aktivitet të shtuar apo kërcënim të ri përgjatë AVN-së. Ulutash theksoi gjithashtu se KFOR-i është në kontakt të rregullt, në nivele të ndryshme, me institucionet e sigurisë në Kosovë dhe me forcat e armatosura të Serbisë.
Ndërkohë, komandanti i KFOR-it rikujtoi se NATO, tash e dy vite, ka kërkuar vazhdimisht llogaridhënie dhe që autorët e sulmeve të sillen para drejtësisë. Ai shtoi se pritet bashkëpunim konkret nga autoritetet serbe në këtë drejtim.
“Ne presim nga autoritetet serbe të bashkëpunojnë që sulmuesit të dalin para drejtësisë”, përfundoi Ulutash.



