“Vendim hakmarrës”- AGK reagon pas mosvazhdimit të kontratave të dy gazetareve në RTK

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e cilëson vendimin si të planifikuar dhe hakmarrës, paralajmëron mbështetje ligjore për gazetaret.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me vendimin e menaxhmentit të Radio Televizioni i Kosovës (RTK) për të mos vazhduar kontratat e punës për dy gazetare, Hana Marteti dhe Edina Avdiu.

banner

Sipas reagimit të AGK-së, mosvazhdimi i angazhimit të tyre në RTK lidhet drejtpërdrejt me punën profesionale të gazetareve dhe, siç thuhet, me mosgatishmërinë e tyre për t’iu nënshtruar presioneve apo për të bërë kompromise në raportim.

“Mosvazhdimi i kontratave pa një vlerësim të punës i ka të gjitha shenjat e një vendimi të planifikuar më parë dhe hakmarrës për gazetaret, duke përfshirë faktin që menaxhmenti ishte në dijeni për shtatzëninë e zonjës Avdiu. Kjo është një praktikë e dëmshme dhe që minon besimin e publikut në RTK”, thuhet në reagim.

AGK ka theksuar se do të qëndrojë në solidaritet të plotë me gazetaret Marteti dhe Avdiu, duke paralajmëruar edhe ofrimin e ndihmës ligjore për të sfiduar vendimin e menaxhmentit të transmetuesit publik.

Rasti ka nxitur reagime në komunitetin e gazetarëve, ndërsa mbetet të shihet nëse do të ketë përgjigje zyrtare nga RTK lidhur me pretendimet e ngritura nga AGK.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.