
Ish-presidentja thotë se Musliu do të jetë zëri i familjeve që përballen me varësinë nga substancat narkotike
Vjosa Osmani ka prezantuar Arjeta Musliu si pjesë të rrugëtimit të saj politik, duke e cilësuar atë një grua që dhimbjen personale e ka shndërruar në mision për të ndihmuar të tjerët.
Në një postim emocional, Osmani tha se historia e Musliut nuk është formësuar nga politika, por nga përballja me dhimbjen dhe angazhimi për t’u dalë në ndihmë familjeve që përballen me varësinë nga substancat narkotike.
“Me një plagë që shumëkush nuk e sheh, por që ajo e ka kthyer në forcë”, ka shkruar Osmani.
Sipas saj, Musliu nuk hyn në politikë për veten, por për çdo familje që lufton në heshtje dhe për çdo të ri që ka nevojë për mbështetje.
“Ajo do të jetë zëri i kësaj kauze në Kuvendin e Kosovës”, ka theksuar Osmani.
Ish-presidentja ka rikujtuar gjithashtu se në vitin 2021 e kishte dekoruar Musliun me Urdhrin Presidencial “Shote Galica”, për kontributin dhe angazhimin e saj shoqëror.



