
Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së thotë se Kosova ka fituar gjithmonë kur ka vepruar në koordinim me aleatët, ndërsa kritikon Kurtin për mungesë bashkëpunimi në procesin e dialogut me Serbinë.
Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka deklaruar se vendi shumë shpejt do të shkojë në zgjedhje të reja dhe se kryeministri aktual, Albin Kurti, nuk do të jetë më në krye të qeverisë.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Çitaku u shpreh se Kurti ka dështuar të bashkëpunojë me aleatët ndërkombëtarë të Kosovës, duke theksuar se dialogu me Serbinë ka humbur vlerën për shkak të qasjes së tij.
“Kosova vazhdimisht ka fituar kur është bashkërenduar me aleatët. Falë këtij bashkërendimi, në Rambuje kemi fituar lirinë, ndërsa në Vjenë, në procesin e Ahtisaarit, kemi fituar pavarësinë. Kosova vetëm formalisht negocion me Serbinë, sepse negociatat e vërteta zhvillohen mes Kosovës dhe aleatëve tanë”, ka deklaruar Çitaku.
Ajo kritikoi Kurtin për, siç tha, mospërgjegjësi politike dhe mosgatishmëri për dialog të sinqertë me partnerët ndërkombëtarë.
“Kurti, në vend se të mbajë leksione nëpër universitete, duhet të ulet dhe të bisedojë seriozisht me aleatët tanë. Por fati i mirë është që kësaj qeverie i ka ardhur fundi — shumë shpejt do të kemi zgjedhje të reja dhe Kurti nuk do të jetë më kryeministër”, tha ajo.
Sipas Çitakut, vetëm një qeveri që bashkërendon qëndrimet me miqtë ndërkombëtarë mund ta rikthejë besimin në procesin e dialogut dhe ta forcojë pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare.



