
I biri i ish-udhëheqësit libian Muammar Gaddafi besohet të jetë qëlluar dhe vrarë në Zintan; rrethanat dhe autorët mbeten të paqarta.
Saif al-Islam Gaddafi, i biri i ish-udhëheqësit libian Muammar Gaddafi, është vrarë në Libi, raportoi televizioni “Al Jazeera”. Korrespondenti i këtij televizioni në Libi, Ahmed Khalifa, tha të martën se besohet se Gaddafi është qëlluar me armë dhe është vrarë në qytetin Zintan, ku ai kishte jetuar gjatë dekadës së fundit.
Vrasjen e 53-vjeçarit e konfirmoi këshilltari i tij politik, Abdullah Othman, por identiteti i sulmuesve dhe rrethanat e ngjarjes mbeten të paqarta. Autoritetet libiane ende nuk kanë komentuar publikisht për rastin.
Saif al-Islam Gaddafi kurrë nuk kishte mbajtur ndonjë post publik në Libi, por konsiderohej si numri dy i regjimit të babait të tij nga viti 2000 deri në 2011, kur Muammar Gaddafi u vra nga forcat opozitare libiane që e hodhën poshtë sundimin e tij të gjatë.
Pas rënies së Tripolit nën kontrollin e opozitës në 2011, Gaddafi u kap dhe u burgos në Zintan ndërsa përpiqej të largohej nga vendi. Ai u lirua në vitin 2017 si pjesë e një amnistie të përgjithshme.



