
Safet Kamberi zgjidhet kryesues i Kuvendit Komunal, LDK merr dy drejtori në qeverisjen e Faton Pecit.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kanë arritur marrëveshje për bashkëqeverisje në Komunën e Mitrovicës së Jugut. Marrëveshja u konfirmua mbrëmë, pasi Kuvendi Komunal u mblodh urgjentisht të dielën në mbrëmje, në ditën e fundit të afatit ligjor për zgjedhjen e kryesuesit.
Në këtë seancë, për kryesues të Kuvendit Komunal u zgjodh Safet Kamberi nga radhët e LDK-së. Ai mori 18 vota për, 10 kundër, ndërsa dy fletëvotime ishin të pavlefshme, duke vulosur kështu marrëveshjen politike mes dy subjekteve.
Sipas burimeve të Gazeta Express, përveç pozitës së kryesuesit të Kuvendit, LDK-ja do të përfitojë edhe dy drejtori në qeverisjen komunale të drejtuar nga Faton Peci. Konkretisht, LDK pritet të udhëheqë Drejtorinë për Ekonomi dhe Zhvillim, si dhe Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport.
Ndërkohë, sot pritet që kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, t’i emërojë shumicën e drejtorëve, siç ka raportuar mediumi lokal “Mitropol”.
Faton Peci u zgjodh kryetar i komunës në rundin e dytë të zgjedhjeve lokale më 9 nëntor. Ai mori detyrën dhe u betua një muaj më vonë, duke nisur një mandat katërvjeçar. Peci është bashkëudhëheqës i partisë Guxo, së bashku me Donika Gërvallën, parti kjo e trashëguar nga presidentja Vjosa Osmani dhe e mbështetur fuqishëm nga Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti.
Koalicioni në nivel lokal vjen në një kohë kur në nivel qendror, LDK-ja kishte refuzuar dy herë publikisht ftesat e LVV-së për bashkëqeverisje, disa muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.



