Williams përfundon dëshminë para Gjykatës Speciale  

Paul Williams, që ishte këshilltar ligjor i delegacionit të Kosovës gjatë negociatave në Rambuje më 1999, ka përfunduar dëshminë dyditore para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, ku foli për rolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Rambuje, pozitën e Hashim Thaçit në delegacion dhe procesin e vendimmarrjes brenda strukturave të UÇK-së.

Williams ishte dëshmitari i dytë i mbrojtjes të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili së bashku me dy ish-kryeparlamentarët Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli dhe ish-deputetin, Rexhep Selimi akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

banner

Të katër ish-eprorët e UÇK-së janë deklaruar të pafajshëm.

Gjatë ditës së dytë të dëshmisë, Williams iu përgjigj pyetjeve të trupit gjykues. Ai tha se delegacioni i Kosovës në Rambuje kishte rreth 16 anëtarë, duke përmendur mes të tjerëve Ibrahim Rugovën, Blerim Shalën, Hashim Thaçin, Rexhep Qosjen, Bujar Bukoshin, Edita Tahirin, Jakup Krasniqin dhe Bajram Kosumin.

Ai shtoi se kryesuesi u zgjodh me shumicë votash dhe se Thaçi u përzgjodh kryetar i delegacionit I pyetur pse u zgjodh Thaçi në këtë post, Williams tha se në delegacion duhej dikush që përfaqësonte UÇK-në.

“Procesi i pavarësisë së Kosovës ishte shumëdimensional. Rugova ishte pacifisti që nuk e hapte gojën pa përmendur pavarësinë. Bukoshi po punonte në mënyrë më të nuancuar me amerikanët dhe evropianët. Ndërkohë, veprimi i aktorëve të armatosur joshtetërorë kishte rëndësi, si në çdo lëvizje për vetëvendosje. E pastaj ishte dimensioni i negociatave të paqes – aty duhej një figurë që përfaqësonte UÇK-në, por që dukej dhe vepronte si diplomat, negociator, partner i besueshëm”, dëshmoi ai.

Një nga pyetjet kryesore të trupit gjykues për Williamsin ishte nëse, nga pikëpamja juridike, miratimi i komandantëve lokalë ose rajonalë të UÇK-së ishte i nevojshëm për nënshkrimin e një marrëveshjeje nga Thaçi.

Williams tha se nuk ishte në dijeni të ndonjë dispozite apo rregulli të tillë, duke shtuar se do të ishte “shumë i befasuar” nëse do të ekzistonte diçka e shkruar. Sipas tij, procesi ishte “më shumë normativ, kulturor, i bazuar në autoritet dhe pushtet, e më pak në rregulla të shkruara”.

Juristi amerikan u pyet nga trupi gjykues edhe për rolin e Rugovës në procesin e Rambujesë. Ai tha se u bë këshilltar pro bono i delegacionit, me kërkesë të Rugovës – që e cilësoi si figurë të respektuar.

“Çdo bisedë e një ndërkombëtari me të fillonte dhe mbaronte me dy fjali: pavarësi dhe mospërdorim të forcës. Rugova luajti një rol të rëndësishëm në Rambuje duke përfaqësuar popullin e Kosovës. Ai mishëronte pacifizmin dhe aspiratën për pavarësi, por nuk ishte negociator”, u shpreh juristi amerikan.

Në ditën e parë të dëshmisë, Williams e kishte përshkruar veprimtarin politik dhe aktivistin për të drejtat e njeriut, Adem Demaçi, si person me “peshë ideologjike” në UÇK.

Demaçi e kishte kundërshtuar marrëveshjen, duke kërkuar që të përfshihej edhe pavarësia e Kosovës.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.