
Analistja Zana Avdiu ka reaguar ndaj debateve të fundit brenda LDK-së, duke dalë në mbështetje të kryetarit Lumir Abdixhiku dhe duke kritikuar zërat që po kërkojnë ndryshime në udhëheqjen e partisë.
Avdiu ka kujtuar se Abdixhiku e fitoi votëbesimin në Kuvendin e LDK-së në fund të janarit, përmes votimit të fshehtë, duke theksuar se mbështetja ndaj tij është konfirmuar qartë nga anëtarësia.
“Lumir Abdixhiku në fund të janarit e ka fitu votëbesimin me votim të mbyllur në Kuvendin e partisë. Pra, mbështetja ndaj tij brenda LDK-së është konfirmu qartë”, ka shkruar ajo.
Sipas Avdiut, LDK-ja ishte e vetmja parti që shënoi rritje në zgjedhjet e 7 qershorit dhe kjo, sipas saj, lidhet me profilin politik të Abdixhikut dhe figurave që nuk identifikohen me qeverisjet e kaluara me PDK-në.
“Në zgjedhjet e 7 qershorit, e vetmja parti që u rrit ishte LDK-ja. Kur fytyra e partisë është Abdixhiku dhe figura që nuk asocohen me qeverisjet e përbashkëta me PDK-në, LDK-ja rritet. Kur ndodh e kundërta, LDK-ja bie”, ka vlerësuar ajo.
Në fund, Avdiu ka pasur një mesazh për ata që kundërshtojnë mundësinë e një bashkëpunimi me Vetëvendosjen.
“Nëse dikush brenda LDK-së ka frikë se LDK-ja e Abdixhikut mund të shkojë në koalicion me VV-në dhe preferon koalicionin me PDK-në, atëherë le të kalojë vetë në PDK”, ka deklaruar ajo.



