Vetëvendosje merr gjithçka

Lëvizja Vetëvendosje ka arritur fitore bindëse në zgjedhjet e parakohshme të së dielës. Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, LVV-ja ka rritjen më të madhe me 49.3 për qind të votave ose 429 mijë e 979 vota, 7 për qind më shumë krahasuar me zgjedhjet e 9 shkurtit, pa i llogaritur votat nga diaspora, votat me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta. Ky rezultat ia mundëson asaj ta krijojë qeverinë e vetme, me komunitetet joshumicë joserbe. Në vendin e dytë renditet PDK-ja me 21,01 për qind, derisa rënien më të madh e ka pësuar Lidhja Demokratike duke rënë nën 14 për qind

Me një pjesëmarrje prej 44.59 për qind,  Lëvizja Vetëvendosje ka dalë forcë e parë me 49.3 për qind të votave në zgjedhjet e së dielës.

banner

Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, LVV-ja shënoi rritjen më ta madhe, duke fituar mbi 49 për qind të votave ose rreth 430 mijë vota. Rritje krahasuar me zgjedhjet e 9 shkurtit të këtij viti, kur VV-ja fitoi 396 mijë e 787 vota apo 42,30 për qind.

Në vendin e dytë është renditur Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 21,01 për qind ose 183,258 vota, rezultat afërsisht i ngjashëm me atë të shkurtit, apo një rritje prej 1 për qind. Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka shënuar rënien më të madhe krahasuar me zgjedhjet e 9 shkurtit, duke marrë 13,56 për qind të votave, përkatësisht 118 mijë e 490 vota. Në zgjedhjet e fillimvitit, LDK-ja pati marrë 171 mijë e 357 apo 18,27 për qind.  

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), mbështetur në rezultatet preliminare ka arritur ta kalojë pragun zgjedhor me 5,68 për qind ose 49,571 vota.

Nisma Socialdemokrate nuk ka arritur ta çajë pragun duke mbetur nën të me vetëm 1,72 për qind të votave.
Lista Serbe si partia më e madhe serbe ka deklaruar se i ka siguruar të gjitha dhjetë ulëset e rezervuara për komunitetin serb. Kryetari i Listës, Zllatan Ellek në një konferencë për media ka thënë se partia që ai udhëheq i ka marrë 90 për qind të votave të komunitetit serb dhe të gjitha ulëset në Kuvend. Partia e Rashiqit deri tash ka marrë 4388 vota apo më shumë se 11 për qind të votave që kanë shkuar për partitë e komunitetit serb. Rashiqi kishte siguruar një ulëse edhe në zgjedhjet e shkurtit. Si i vetmi deputet i partisë së tij, ai u zgjodh nënkryetar nga komuniteti serb pas refuzimit të shumicës në legjislaturën e nëntë për të votuar propozimet nga Lista Serbe.

LVV-ja me 56 mandate, rrugës për ta formuar e vetme qeverinë
Përkthyer në mandate, Lëvizja Vetëvendosje me pak nën 50 për qind të votave ka siguruar 56 ulëse në Kuvend.

Me përllogaritjen sipas formulës “D’Hondt”, Partia Demokratike e Kosovës me 21 për qind të votave ka 23 ulëse. Lidhja Demokratike ka 15 ulëse, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka siguruar 6 ulëse.

Në krahasim me zgjedhjet e shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje është rritur në Kuvend për tetë ulëse, nga 48 sa i kishte.

Ndërkaq, PDK-ja e humbi një ulëse. LDK-ja ka humbur pesë ulëse, nga 20 sa i kishte. AAK-ja në koalicion me Nismën ka pasur 8 ulëse. Kjo përllogaritje nuk i përfshin edhe votat me postë dhe ato në përfaqësi diplomatike.

20 ulëset e tjera ndahen në 10 për komunitetin serb dhe 10 për komunitetet tjera. Për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe më pas votimit të qeverisë, janë të domosdoshme 61 vota.

Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para edhe në shumicën e komunave të vendit. Është konfirmuar forca kryesore në 24 komuna, përfshirë ato të cilat llogariten bastione të partive opozitare.

Është e para në Gjakovë, Gjilan, Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Fushë-Kosovë, Kamenicë, Mitrovica e Jugut, Lipjan, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Prizren, Shtime, Suharekë, Ferizaj, Viti, Vushtrri, Malishevë, Junik dhe Hani të Elezit. Partia Demokratike e Kosovës është e para në Drenas e Skenderaj. Në Deçan ka dalë e para Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kurse në Mamushë KDPT-ja.
Zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit kanë hyrë në histori sa i përket daljes së qytetarëve në vendvotimet brenda Kosovës. Të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 899 mijë e 521 qytetarë, pa i llogaritur votat nga diaspora, votat me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta.

Në përqindje, i bie se të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar afro 45 për qind e atyre me të drejtë vote. Rekordi i pjesëmarrjes në zgjedhje ishte vendosur më 9 shkurt sivjet. Atë kohë në qendrat e votimit në Kosovë kishin votuar 871 mijë e 662 votues. Ndërkaq bashkërisht me votat e diasporës dhe atyre në përfaqësi, numri kishte mbërritur në 966 mijë vota.
Kurti: Institucionet do t’i krijojmë shpejt, pres bashkëpunim me opozitën
Nga selia e Vetëvendosjes, kandidati për mandatin e tretë qeverisës, Albin Kurti, u është drejtuar qytetarëve si fitues i zgjedhjeve, tek tha se janë rrugës për ta thyer edhe rekordin e 21 shkurtit të vitit 2021.

“Më 9 shkurt fitoi Lëvizja Vetëvendosje, më 28 dhjetor fitoi populli dhe Republika e Kosovës. Urime fitorja më e madhe në histori të vendit”, ka thënë ai.

Kurti tutje u shpreh se sapo të certifikohen rezultatet, do të krijojnë institucionet dhe të vazhdojnë punët. Përmendi marrëveshjet ndërkombëtare, duke thënë se pret bashkëpunimin me partitë opozitare për t’i çuar përpara tek ato i falënderoi edhe për kampanjën zgjedhore.
“Na presin shumë punë përpara. Duhet të ecim përpara, pa vonesa. Sapo të certifikohen rezultatet, aq më shpejt do na duhet të krijojmë institucionet dhe të vazhdojmë me punën e mirë. Na pret Plani i Rritjes i BE-së në vlerë 880 milionë euro dhe tri marrëveshje me Bankën Botërore në vlerë 120 milionë. Pra mbi 1 miliard. Ftoj nga tash partitë opozitare për bashkëpunim në Kuvend për marrëveshjet ndërkombëtare, marrëveshjet e mira dhe për interesin publik të qytetarëve”, ka deklaruar Kurti.

Ai është pyetur edhe për çështjen e presidentit të vendit pasi t’i skadojë mandati Vjosa Osmanit në mars të vitit të ardhshëm.

Kurti tha se për këtë do të duhet të flitet edhe me opozitën. Por paraprakisht u shpreh se do të takohet edhe me presidenten aktuale, Vjosa Osmani.
“Na duhet të bisedojmë edhe me opozitën për çështjen e presidentit. Paraprakisht, do të ulem me presidenten aktuale dhe më pas do t’i ndërmarrim edhe hapat e ardhshëm në mënyrë që të ecim përpara bashkë sepse dihet që si për marrëveshjet ndërkombëtare, ashtu për zgjedhjen e presidentit, duhet së paku të qëndrojnë në sallë 80 deputetë edhe nëse votojnë kundër. Ky është hapi i tretë”, ka thënë Kurti.

Kryetari i Vetëvendosjes mori pjesë edhe në festën me simpatizantë të kësaj partie, ku tha se fitorja e 28 dhjetorit është e popullit të Kosovës, ndryshe prej asaj të 9 shkurtit kur fitoi VV-ja me partnerët e koalicionit.

“Kësaj radhe ka fituar populli dhe Republika, e bëri të mundur fitoren, vizioni dhe programi ynë. Të gjitha zotimet tona do t’i përmbushim një nga një. Ju jeni kuptimi i ekzistencës së pozitave dhe funksioneve tona”, ka thënë Kurti tek premtoi realizim të zotimeve të dhëna gjatë fushatës zgjedhore.

Ndryshe prej Kurtit që foli për bashkëpunim me opozitën, nuk munguan talljet e  partnerëve që ishin në koalicion me LVV-në pas rezultatit të zgjedhjeve të së dielës. Kryetari i Mitrovicës, njëherësh bashkëkryetar i Listës Guxo, Faton Peci është marrë me LDK-në duke ia kujtuar refuzimin që të futej në koalicion me VV-në pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

“Hajdi n’qeveri, jo s’po dojmë, hajdi more, jo s’po dojmë. Ani shkoni pra”, ka thënë Peci në një video.

Abdixhiku e merr përgjegjësinë për rezultatin

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka marrë përgjegjësinë për rezultatin në zgjedhjet e 28 dhjetorit, në një paraqitje pak para mesnatës të dielën. Ai ka njoftuar se ditëve në vijim do ta ftojë Kuvendin e partisë për të shqyrtuar të gjitha çështjet dhe përgjegjësitë si kryetar.

Ai ka deklaruar se rezultati i LDK-së nuk është ai që e kanë pritur dhe ky do të jetë moment reflektimi, tek shtoi se e respekton verdiktin e qytetarëve.
“Duke marrë përgjegjësinë, ditëve në vijim do ta thërras Kuvendin e LDK-së dhe para tij do t’i shpalosim e shqyrtojmë të gjitha çështjet dhe përgjegjësit që mbaj si kryetar. Rezultati i LDK-së nuk është ai që e kemi pritur dhe dëshiruar. Është moment reflektimi. Kur qytetarët flasin, ne duhet të dëgjojmë. Demokracia funksionon kur udhëheqësit mbajnë përgjegjësi, edhe kur kanë humbje të tilla”, ka thënë Abdixhiku, duke mos e përjashtuar as dorëheqjen.
Ai u shpreh tutje se në këto pesë vjet drejtimi të LDK-së ka vepruar ashtu siç ka besuar se është më e mira për partinë.

“Këto pesë vjet, kam vepruar ashtu siç kam besuar se është më e mira për LDK-në. Megjithatë, sot them hapur nuk kam arritur ta çojë LDK-në aty ku duhet të jetë. Kemi ndërtuar ekip të mirë, kemi ndërtuar fushatë të dinjitetshme, por ky është verdikti qytetar dhe përulemi para tij. Qytetari gjithmonë ka të drejtë”, ka shtuar ai.
Abdixhiku e uroi edhe fituesin e zgjedhjeve, Albin Kurti.
“Më lejoni të urojë fituesin. Shteti është mbi secilin prej nesh. Le të shpresojmë se qytetarët kanë zgjedh drejt këtë herë”, ka deklaruar ai.

Pas rënies së LDK-së, nuk kanë munguar as thirrjet brenda kampit të tyre për reflektim.
Arben Gashi, kandidat për deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka kërkuar veprime të përgjegjshme, pas rezultateve të para të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
“Kur votuesit flasin, rezultati nuk mund të injorohet. Kërkohet reflektim dhe veprim i përgjegjshëm”, ka shkruar Gashi në Facebook.

E ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, u ka bërë thirrje votuesve të partisë ta mbajnë kokën lart.
“Për të gjithë votuesit e sotëm të LDK-së: kokën lart! Ju dua!”, ka shkruar ajo.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj përmes një deklarimi pas mbylljes së kutive të votimit ka thënë se i kanë 8 për qind apo 9 ulëse në Kuvend, tek shtoi se dështon koalicioni me PDK-në e LDK-në

“AAK-ja nuk ka vënë dhe nuk qet kushte për opozitën. Por tani është momenti që të reflektojmë. Nga ne të dy partitë e kanë një partner dhe jemi të gatshëm për bashkëpunim e t’i japin shumicën”, ka thënë ai.
Nga kampi i PDK-së që doli si parti e dytë nuk pati deklarim pas rezultateve

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.