Sead Zimeri: Serbia përbën rrezik ekzistencial për shqiptarët, duhet të armatosemi deri në dhëmbë

Filozofi Sead Zimeri ka reaguar ndaj glorifikimit të Ratko Mlladiqit në Serbi dhe diskursit që, sipas tij, vazhdon ta paraqesë myslimanin si armik, duke thënë se Serbia e sotme përbën rrezik ekzistencial për shqiptarët.

Zimeri ka thënë se shqiptarët nuk mund ta ndryshojnë drejtpërdrejt mendësinë, sjelljen apo vlerat shoviniste në Serbi, por kjo, sipas tij, nuk do të thotë se duhet të qëndrojnë pasivë.

banner

“Ne nuk mundemi ta ndryshojmë mendësinë dhe sjelljen apo vlerat shoviniste të Serbisë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Por kjo nuk do të thotë që ne duhet të qëndrojmë duarkryq. Duhet bërë gjithçka që është e nevojshme që të armatosemi deri në dhëmbë. Një Serbi e këtillë siç është sot përfaqëson rrezik ekzistencial për shqiptarët”, ka shkruar Zimeri.

Ai është ndalur edhe te komentet e bëra nga qytetarë serbë në rrjetet sociale pas vdekjes dhe funeralit të Mlladiqit.

Sipas Zimerit, një prej komenteve më të përhapura është pretendimi se Mlladiqi ka mbrojtur serbët nga myslimanët, të cilët paraqiten si kërcënim ndaj popullsisë ortodokse.

“Një nga komentet më të përhapur në rrjetet sociale të bëra nga serbet është që ky kasapi që e bënë hero ka mbrojtur serbët nga muslimanët që kinse ishin përpjekur të shfarosnin ortodoksët. Nuk është me rëndësi se këto janë gënjeshtra, por që është ende e pranueshme në Serbi të mendohet se vrasja e muslimanit nuk është ndonjë krim i madh”, ka shkruar ai.

Zimeri ka përdorur edhe referencën ndaj Vasa Çubrilloviqit, autorit të memorandumit të njohur për shpërnguljen e shqiptarëve, duke thënë se mendësia e përfaqësuar prej tij vazhdon të jetë e pranishme.

“Çubrilloviçi është ende gjallë”, ka shkruar Zimeri.

Sipas tij, paraqitja e myslimanëve si kundërshtarë të qytetërimit perëndimor shërben për ta relativizuar përgjegjësinë për krimet e kryera ndaj tyre.

“Duke e paraqitur muslimanin si armik të qytetërimit perëndimor, si një pjellë të padëshirueshme në këtë kontinent jomusliman, ajo mundohet ta pastrojë ndërgjegjen e vet, dhe të arsyetohet para botës se gjenocidi që bënë kundër muslimanëve është për të mirën e qytetërimit perëndimor”, ka deklaruar Zimeri.

Ai ka thënë se për Serbinë, sipas tij, nuk është përcaktuese nëse shqiptarët janë myslimanë praktikues apo vetëm nominalisht myslimanë, sekularë apo fetarë.

“Nuk është me rendësi për Serbinë nëse shqiptarët janë muslimanë të vërtetë apo janë muslimanë vetëm në emër, i frekuentojnë xhamitë rregullisht apo nuk i frekuentojnë fare, janë muslimanë të moderuar dhe sekularë apo janë intolerantë në bindjet e tyre”, ka shkruar ai.

Zimeri vlerëson se imazhi negativ që islami ka në pjesë të Perëndimit mund të përdoret nga qarqe në Serbi si justifikim për politika ndaj shqiptarëve.

“Me rëndësi është që në këto kohëra ku islami ka një imazh jo të mirë në Perëndim, u jep atyre një arsyetim për të vazhduar të besojnë në një zgjidhje përfundimtare për shqiptarët, ku Kosova i kthehet Serbisë dhe shqiptarët mundësisht dëbohen gjetkë, diku në Anadoll. Islami i jep një mburojë që përndryshe nuk mund ta kishte”, ka shkruar Zimeri.

Megjithatë, sipas tij, çështja nuk kufizohet te përkatësia fetare e shqiptarëve.

“Por muslimanë ose jo, ajo dëshiron t’i dëbojë shqiptarët. Kurse ne, muslimanë dhe jomuslimanë, duhet të jemi të përgatitur”, ka thënë ai.

Në fund, Zimeri ka bërë thirrje që shqiptarët të mos e përvetësojnë diskursin përçarës dhe të mos krijojnë ndasi fetare mes tyre.

“Por e kemi edhe për obligim që të mos e përvetësojmë diskursin armiqësor të Serbisë kundër neve duke krijuar ndasi fetare mes shqiptarëve. Muslimanë ose jomuslimanë, shqiptarët janë para së gjithash shqiptarë dhe vetëm si shqiptarë të bashkuar në këtë kredo mund t’i bëjmë ballë Serbisë dhe armiqve të tjerë”, ka përfunduar Zimeri.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.