
Kryetari i Çairit kujton veprën e ish-kryetarit të Kuvendit dhe akademikut në periudha të vështira.
Kryetari i Çairit, Izet Mexhiti, ka shprehur pikëllimin e tij të thellë për ndarjen nga jeta të akademikut dhe burrit të shtetit, Nexhat Daci.
Sipas Mexhitit, gjatë viteve të ’90-ta, Daci ishte thellësisht i përkushtuar ndaj arsimit për shqiptarët, në një kohë kur kjo veprimtari ishte e rrezikshme dhe konsiderohej akt guximi dhe sakrifice. Kontributi i tij në ruajtjen dhe zhvillimin e arsimit shqip është ndër më të rëndësishmet për mbijetesën kombëtare dhe për çlirimin e Kosovës.
Ai gjithashtu thekson se Nexhat Daci luajti një rol të rëndësishëm në shtetformimin e Kosovës, duke u bërë një figurë kyçe e institucioneve demokratike të vendit pas çlirimit dhe një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë.
“Nexhat Daci do të kujtohet si një politikan i urtë, i përkushtuar dhe i ndershëm, një njeri që besoi në institucione dhe në punën e palodhur për të mirën e vendit. Kontributi i tij do të mbetet i gdhendur në historinë e shtetformimit dhe të demokracisë në Kosovë”, ka shtuar Mexhiti.
Ai ka përfunduar me fjalët:
“Lavdi veprës dhe jetës së tij. Nderim i përjetshëm për ish-kryetarin e parë të Kuvendit të Kosovës.”



