
Shtatë gazetarë janë larguar nga portali i Klan Kosovës. Në një njoftimin publik, gazetarët kanë theksuar se arsyeja e largimit ishte moskompensimi i punëve shtesë.
Në njoftimin e saj, Genita Ukaj ka treguar se është detyruar të largohet nga Klan Kosova në prag të muajit të pestë të shtatzënisë.
“Unë, Genita Ukaj, tashmë në prag të muajit të pestë të shtatzënisë, u detyrova që në këtë periudhë kaq të ndjeshme të jetës sime të largohem dhe të mbetem e papunë, për të mos lejuar që dinjiteti im të shkelet” – ka shkruar ajo, ndër të teja, transmeton Gazeta Politika.
Sjellim ndër mend që tashmë Klan Kosova ka hapur konkurs për të rekrutuar shtatë gazetarë të rinj.
Në lidhje me këtë temë ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, duke shprehur shqetësim të thellë pas largimit të menjëhershëm nga puna të shtatë gazetarëve nga portali i Klan Kosovës.
Postimi i plotë i AGK-së:
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) shpreh shqetësim të thellë pas largimit të menjëhershëm nga puna të 7 gazetarëve – Genita Ukaj, Lendita Elshani, Albina Haxholli, Lum Gashi, Albert Bajrami, Kasim Gërbeshi dhe Endrit Krasniqi – nga portali klankosova.tv.
Sipas një deklarate publike dhe komunikimit të gazetarëve me AGK-në, arsyet e dorëheqjeve kanë të bëjnë me kërkesën e drejtuesve të portalit për punë shtesë, pa kompensim adekuat gjatë kohës së zhvillimit të një spektakli televiziv.
AGK-ja shpreh keqardhjen që gazetarët, të gjithë me përvojë të çmuar dhe disa vjeçare në media të Kosovës, janë detyruar të largohen nga puna për shkak të trajtimit të padinjitetshëm. Ky rast tregon edhe njëherë ambientin e vështirë të punës në shumë redaksi mediash në Kosovë.
AGK-ja fton Klan Kosova (.tv) dhe mediat e tjera në Kosovë që të respektojnë dispozitat e Ligjit të Punës dhe të respektojnë e zbatojnë të drejtat e gazetarëve dhe punonjësve të tjerë.
AGK-ja qëndron në solidaritet të plotë me gazetarët e larguar dhe u ofron çdo lloj mbështetjeje për të cilën mund të kenë nevojë, duke përfshirë ndihmë ligjore.



