
Në Kosovë kanë rënë mesatarisht 43 mm reshje, Drini i Bardhë me nivelin më të lartë sipas pellgjeve lumore
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka publikuar raportin për nivelin e ujit në lumenjtë e Kosovës pas reshjeve të fundit, të cilat kanë shkaktuar vërshime dhe përmbytje lokale në disa komuna të vendit.
Sipas raportit të IHMK-së, nga e hëna në të martën në territorin e Kosovës kanë rënë mesatarisht 43 milimetra reshje për metër katror. Sasia më e madhe e reshjeve sipas pellgjeve lumore është regjistruar në pellgun e Drinit të Bardhë me 76.2 mm, e ndjekur nga Lepenci me 47.9 mm, Ibri me 27.8 mm dhe Morava e Binçës me 19.9 mm.
IHMK bën të ditur se shumica e lumenjve në Kosovë, veçanërisht ata në pjesën perëndimore dhe qendrore të vendit, kanë shënuar ngritje të ndjeshme të niveleve gjatë këtyre dy ditëve. Në disa segmente, lumenjtë kanë dalë nga shtrati i tyre, duke shkaktuar përmbytje lokale.
“Sytuata më e vështirësuar paraqitet në lumenjtë: Drini i Bardhë, Ereniku, Bistria e Deçanit, Toplluha, Klina, Mirusha, Lumi Drenica dhe Lumi Istogut”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.
Ndërkaq, lumenjtë në pjesën lindore dhe jugore të vendit, përfshirë Ibrin, Sitnicën, Moravën e Binçës, Lepencin dhe Nerodimjen, aktualisht kanë ngritje të lehtë të niveleve dhe nuk paraqesin rrezik të menjëhershëm.
Sipas raportit të IHMK-së, edhe në ditët në vijim priten reshje shiu në vend, çka mund të ndikojë në ruajtjen e niveleve të larta të ujit në disa lumenj.




