
Kryeprokurori Petrit Kryeziu autorizon Policinë për identifikimin e përgjegjësve dhe sigurimin e provave, pas dyshimeve për manipulim të rezultateve zgjedhore.
Pas evidentimit të dallimeve të mëdha në vota gjatë procesit të rinumërimit, Prokuroria Themelore në Prizren ka nisur zyrtarisht veprimet hetimore. Kryeprokurori i kësaj prokurorie, Petrit Kryeziu, ka konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net se sot ka lëshuar autorizim me shkrim për Policinë e Kosovës për të identifikuar personat përgjegjës dhe për të siguruar prova relevante, përfshirë procesverbalet dhe nënshkrimet.
“Si institucion i Prokurorit të Shtetit, kemi monitoruar nga jashtë procesin e rinumërimit të rezultateve zgjedhore. Tani që rinumërimi po i afrohet fundit, janë evidentuar keqpërdorime të dukshme të votave gjatë numërimit brenda subjekteve politike në rajonin e Prizrenit”, ka deklaruar Kryeziu.
Ai ka theksuar se çdo person që ka falsifikuar rezultatet zgjedhore përmes vendosjes së nënshkrimit të tij do të përballet me përgjegjësi penale. Sipas tij, manipulimi i votës dhe falsifikimi i dokumenteve zgjedhore janë vepra penale dhe do të ndëshkohen pa kompromis.
“Çdo person që ka ndryshuar vullnetin e qytetarëve duke falsifikuar rezultatet zgjedhore, do të mbajë përgjegjësi të plotë penale. Manipulimi i votës është krim”, ka shtuar Kryeziu.
Ndërkohë, gjatë rinumërimit janë vërejtur dallime të mëdha në votat e disa kandidatëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Kandidatit Fetah Paçariqi i janë hequr gjithsej 5,857 vota, ndërsa Nait Hasanit 3,318 vota. Mbi dy mijë vota u janë hequr edhe kandidatëve Kujtim Gashi dhe Luljeta Veselaj Gutaj.
Lidhur me këto zhvillime, PDK ka reaguar duke i quajtur të papranueshme çdo indikacion për manipulim të votave. Nga kjo parti kanë theksuar se janë të përkushtuar për integritetin e procesit zgjedhor dhe për respektimin e vullnetit të qytetarëve.
Në anën tjetër, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka kërkuar rinumërim të votave në të gjithë Kosovën. Këtë kërkesë e ka mbështetur edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, duke shtuar presionin për transparencë dhe verifikim të plotë të rezultateve zgjedhore.



